Aktakuzë ndaj tre personave për sulm ndaj gazetarit Valon Syla

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur këtë të premte aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër tre të pandehurve me inicialet L.D, K.H dhe O.H. për sulm ndaj gazetarit Valon Syla.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit, të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetarë, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, gazetarit, Valon Syla.

“Me këto veprime të pandehurit L.D, K.H dhe O.H. në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘Lëndimi i lehtë trupor’ nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media.

Më 11 prill të këtij viti, gazetari Valon Syla është sulmuar fizikisht nga tre persona, duke pësuar lëndime në kokë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Për rastin në fjalë ka pasur reagime të ashpra të shoqërisë civile, liderëve institucionalë e Bashkimit Evropian./Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë