Vetmia është një epidemi në rritje në shumicën e vendeve të zhvilluara.
Të rinjtë e moshës 16 deri në 24 vjeç ndihen më të vetmuar se çdo grupmoshë tjetër, duke mos përjashtuar njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.
Në të vërtetë, 73% e Gjeneratës Z në Amerikë, raportojnë se ndihen vetëm; ndonjëherë ose gjithmonë.
Izolimi social është një problem edhe në Evropë: 18% e qytetarëve të saj, e barabartë me 75 milionë njerëz, janë të izoluar socialisht.
Të gjitha studimet duket se pajtohen se të rinjtë janë më të vetmuar se të moshuarit dhe ata të moshës së mesme gjithashtu. Një studim zbuloi se 80% e njerëzve nën moshën 18 vjeç janë ndonjëherë të vetmuar kundrejt 40% të atyre mbi 65 vjeç.
Të rinjtë sot janë shumë të lidhur me botën virtuale, por tërësisht të shkëputur nga shoqëria, dhe këtu ka një paradoks. Interneti, telefonat celularë dhe video-lojërat kanë hapur një shumëllojshmëri lidhjesh dhe mundësish të reja për ta, megjithatë, ndërveprimet dixhitale nuk kanë arritur të zëvendësojnë nevojën për t’u lidhur në një nivel emocional me botën fizike.
Mijëvjeçarët ishin brezi i fundit analog; që e kujtojnë jetën përpara se teknologjia dixhitale të na “pushtonte” përditshmërinë. Një qytetar i këtij brezi do të përfundojë ciklin e vet jetësor duke kaluar 21 vjet, 4 muaj dhe 29 ditë online gjatë gjithë jetës së tij.
Ngjashëm me mënyrën se si ky brez po mëson dhe përvetëson aftësi dixhitale, së shpejti do të na duhet t’i mësojmë Gjeneratës Z dhe Gjeneratës Alpha, aftësitë themelore sociale.
Të rinjtë sot por rriten në një gjendje të vazhdueshme shqetësimi, ata po jetojnë epokën e kolapsit shoqëror. Zgjedhjet e pafundme që atyre u ofrohen janë shndërruar në një barrë psikologjike për ta. Të rinjtë janë të mbi stimuluar, por të nën-socializuar.
Marrim live-t në rrjetet sociale; një përdorues mesatar mund të komunikojë me 500 deri në 1000 njerëz në ditë, por ndihet më pak i kënaqur dhe më i dëshpëruar.
Të rinjtë sot kanë po ashtu më pak momente dhe kujtime të përbashkëta. Eksperienca shoqërore ka humbur terren ndaj individualizmit.
Japonia ofron një dritare se si mund të duket e ardhmja e të rinjve në shumicën e vendeve të zhvilluara. Në Japoni, ekziston një fenomen social, i njohur si Sindorma Hikikomori, ku të rinjtë me vullnet tërhiqen nga shoqëria dhe kërkojnë izolim social ekstrem. Këta janë heremitët e epokës teknologjike.
Qeveria japoneze vlerëson se vendi ka 1.5 milionë të rinj me sindormën Hikikomori, por ekspertët besojnë se numri është shumë më i lartë së kaq. Madje, qeveria për të luftuar fenomenin ka krijuar një shërbim të çuditshëm atë të “familjes me qira” duke iu ofruar këtyre të rinjve iluzionin e ngrohtësisë familjare.
Përparimi teknologjik nuk duket se është përgjigja ndaj epidemisë së vetmisë.
Ne jemi duke projektuar një botë pa kontakt njerëzor. Kur shkojmë në supermarket, makinat skanojnë artikujt tanë pa pasur nevojë të të thonë përshëndetje apo faleminderit. Inteligjenca artificiale po zëvendëson të dashurat/dashurit dhe njerëzit po dashurohen me kukulla dhe robotë.
Falë kësaj inteligjence ne mund të punojmë nga shtëpia dhe të flasim me njerëzit përmes ekraneve dixhitale. Edhe marketingu ka ndryshuar; nëse dikur përdorte kreativitetin për të bashkuar njerëzit e për t’i bërë markat pjesë të kulturës së tyre, në ditët e sotme përdor individin që “u shet” produktin të vetmuarve online.
A mund të vdesësh nga vetmia?
Vetmia mund të jetë po aq e dëmshme për shëndetin sa edhe pirja e 15 cigareve në ditë. Dhe njerëzit që përjetojnë izolim social kanë një rrezik 32% më të lartë për vdekje të hershme.
Përveç lidhjes së saj me simptomat depresive dhe forma të tjera të sëmundjeve mendore, vetmia është një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2 dhe artritin. Njerëzit e vetmuar kanë gjithashtu dy herë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Alzheimerit, sugjeron një hulumtim i fundit. Gjendja e vetmisë kronike mund të shkaktojë reagime të pafavorshme fiziologjike si rritja e prodhimit të hormoneve të stresit , pengon gjumin dhe ndikon në dobësimin e imunitetit.
Por a mund të vdesësh nga vetmia?
Sigurisht që një njeri nuk mund të vdesë thjesht nga ndjenja e madhe e vetmisë por gjetjet e fundit kanë treguar se njerëzit e vetmuar kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë dhe vetmia kronike mund të luajë një rol në rritjen e rrezikut të vdekjes. /Shkruan Top Channel/