Nisin procedurat për largimin e kryetarëve me peticion, SHBA-ja ua tërheq vërejtjen serbëve

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka nisur procedurën për hartimin e udhëzimit administrativ lidhur me iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Vendimi i ministrit Elbert Krasniqi, që mban datën 31 korrik, parasheh formimin e grupit punues për t’u marrë me këtë proces.

Sipas këtij vendimi, grupi punues ka kohë një muaj që ta hartojë udhëzimin administrativ.

“Grupi Punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ, dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në vendim.

Inicimi i hartimit të këtij dokumenti vjen si rrjedhojë e dakordimit që Kosova ka bërë me Bashkimin Evropian për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri pas verës, si hap drejt shtensionimit të situatës.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve, përmes peticionit siç synojnë autoritetet, është konsideruar përvojë e re institucionale për Kosovën.

Por për Bashkimin Evropian, me të cilin është arritur dakordimi për zgjedhjet në veri, më e preferueshme është dorëheqja e kryetarëve aktualë për shkak të rrugës më të shkurtër.

KOHA ka raportuar më herët se duhen së paku katër muaj kohë për t’i organizuar e mbajtur zgjedhjet e parakohshme në katër komunat të banuara kryesisht me serbë, përmes peticionit.

Lidhur me situatën në veri, të martën, është deklaruar edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e ardhshme është kërkesë e SHBA-së dhe se një gjë e tillë u është bërë e ditur krerëve të Listës Serbe në takimin që është zhvilluar në Uashington.

“Pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara janë që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, të marrin pjesë në zgjedhjet e reja komunale kur të caktohen. Kjo është pjesë e përgjegjësive të partive në demokraci, të marrin pjesë në procesin demokratik, gjë që është pritshmëria jonë, kjo është kërkesa jonë”.

Hovenier ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të kryejnë obligimet që kanë drejt shtensionimit të situatës, duke veçuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryetarët e komunave në Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut e Zubin-Potok u zgjodhën në zgjedhjet e 23 prillit, proces që u bojkotua nga serbët./Shkruan KohaDitore/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë