Pagat në Britani të Madhe u rritën me një ritëm rekord vjetor, midis muajve prill dhe qershor.
Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikat (ONS), pagat bazë u rritën me 7.8 për qind që është norma më e lartë e rritjes vjetore që nga viti 2001.
Në anën tjetër, inflacioni vazhdon të mbetet relativisht i lartë, pra në nivelin e 7.9 për qind.
Por Darren Morgan nga ONS tha se paga bazë “po rritet me shpejtësinë e saj që nga fillimi i regjistrimeve aktuale”.
“Së bashku me inflacionin më të ulët, kjo do të thotë se pozicioni mbi pagat reale të njerëzve po rikuperohet dhe tani duket pak më i mirë se disa muaj më parë”, potencoi Morgan.
Megjithatë, rritja e pagave ende nuk është duke tejkaluar ritmin e rritjes së çmimeve.
Shifrat tregojnë se duke marrë parasysh masën e inflacionit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (CPI), paga mesatare bazë ra me 0.6 për qind.
Kjo rritje e pagave do të thotë se Banka e Anglisë mund të rrisë sërish normat e interesit në shtator, nga norma aktuale prej 5.25 për qind. /Shkruan Telegrafi/