Naivë karshi një politike të njohur

Ky fundvit do të duhej të ishte një alarm e një mësim për të gjitha palët e përfshira që të këqijat të cilat ende nuk janë bërë, është më mirë të mos bëhen

Është një problem në kaosin e sotëm politik e të sigurisë që lidhet me Kosovën e Serbinë.

Të gjithë që kanë punë me pushtetin në Serbi, e të gjithë që kanë punë me të sot, kanë pasur edhe dje, i karakterizon njëfarë naiviteti i çuditshëm.

Si mundet që një strategji politike e njohur aq gjatë, sa është shndërruar në konstante të mërzitshme, të mund të luajë me një botë me dekada. Beogradi asnjëherë nuk pësoi mutacion që të kërkonte qasje tjetër, siç, për shembull, bëjnë viruset e mençura që kërkojnë shkathtësi shkencëtarësh për variante të reja vaksinash.

Nuk është shkencë ajo që kërkohet nga Kosova, nga BE-ja e shtetet e saj apo SHBA-ja. Shqipëria nuk hyn këtu, meqë duket rast i humbur.

Dikush mund të thotë gjeostrategjia. Ajo ka qenë aty përherë. Nuk mund të abstrahohet krejt, por më shumë se aq nuk mund të përdoret si arsyetim për naivitet. Lufta në Ukrainë? Ajo s’ka ekzistuar para një viti. Nuk mund të abstrahohet sot, por më shumë se aq nuk mund të përdoret si arsyetim për naivitet. Ukraina madje nxjerr në pah më shumë karakteristikën e politikës serbe që nga situatat e reja të nxjerrë më shumë lojë për vete. Rrjedhimisht, më shumë naivitet nga Perëndimi që e mban në përqafim derisa ajo nuk i bashkohet në qasje ndaj luftës së re në Evropë.

Çka është naiviteti në këtë kontekst?

Mungesë aftësie, strategjie, njohurie, guximi, serioziteti, interesimi…?

Nëse do të nisemi nga vetja, pra nga qasja e Kosovës së pasluftës, qeveritë ia kanë djegur vetes letrën e viteve nëntëdhjetë. Në çfarëdo procesi me ndërkombëtarët në qendër apo në mes, Kosova jo që nuk e mbajti kontekstin e luftës lart, por as poshtë në “paragrafët” e fundit. Ia mohoi vetes të vërtetën e madhe për ndërtim të narracionit që do ta paraqiste më të fortë në luftën e re për konsolidim brenda e jashtë. Kjo u bë për dy dekada e edhe tash.

Institucionet e Kosovës nuk e kanë ndërtuar asnjëherë dhe nuk kanë as tash as edhe një faqe në asnjë platformë për të vërtetën e saj. Nuk kanë evidencë e as lista. Lista të vrarëve, të të zhdukurve, të të dhunuarve, të jetimëve, të invalidëve, të të dëbuarve, të shtëpive të djegura, të dëmeve materiale. Nuk kanë numra, emra, rajone, vlera dëmesh, rrëfime. Nuk kanë faqe që ilustrojnë krimin, humbjen, dhimbjen, ndarjen, sytë e trishtuar, kafkat gojëhapura. Nuk kanë faqe për varreza masive, numër trupash njerëzish të gjetur, rrëfimesh të tyre, moshë.

Zyrtarët e diplomatët e Kosovës shëtisin botën pa një libër për të vërtetën e saj. Nuk e di a ndiejnë se po u mungon diçka kur e përfaqësojnë atë. Nuk e di madje sa ka që e dinë çka ka ndodhur. Ajo që kam parë në një diskutim për të zhdukurit, kur janë pyetur për numrin, kanë kthyer kokën kah përfaqësuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare për shifër të saktë.

Një njeri që e vlerësoj dhe e dua, më 2000 në euforinë tonë të çlirimit, më pati thënë se lufta nuk ka përfunduar për familjarët e të zhdukurve. Ata do ta humbin vajzën, djalin, babën e nanën ditën që gjendet trupi. E humbja për ta ndodh në luftë. Ky është ekstremi i Kosovës me qytetarë, për të cilët ende lufta nuk ka përfunduar dhe me institucione që e kanë harruar atë.

Në më shumë se dhjetë vjet bisedime me Serbinë, Kosova bëri kompromise për të ardhmen pa të kaluarën. Ia fali pikën zero një politike, manipulimet e së cilës jo veç se i njohu, por edhe i përjetoi me dekada. Ia dha mundësinë që ato t’i vazhdojë nga aty pa pasur nevojën që të ndryshojë gjë.

Këtë politikë nuk e përjetoi, por e njohu mirë edhe Perëndimi që nuk pati nevojë t’ia falte pikën zero, por ia dha rastin e dytë me qasje më të butë nga i pari, mbase, sepse manipulimet ia arritën ta bënin të ndihej në faj për intervenimin e fundshekullit të kaluar.

Këtu gjendemi sot, me një forcë të NATO-s në Kosovë që improvizon e zënë në mes të paaftësisë së Kosovës nga njëra anë dhe naivitetit të çuditshëm të Perëndimit nga ana tjetër për t’i prerë punët. Ka një sërë marrëveshjesh rezultat negociatash pa strategji e pa transparencë që kanë marrë vulë institucionesh kosovare, zbatimi i të cilave më shumë do të bënte dëm sesa dobi në terren, e moszbatimi interpretohet si jostabilitet institucional.

Viti po mbyllet me njëlloj “shuttle” diplomacie që na e kujton kohën e luftës, për ta bindur Serbinë kësaj radhe që mjetin të cilin e ka në Kosovë, strukturat kriminale rreth Listës Serbe, ta urdhërojë t’i heqë barrikadat nga rrugët e veriut. Situatë që do të duhej t’ia ilustronte Perëndimit se nëse vazhdon ta mbështesë lojën e politikës serbe, e cila në thelb ka krijimin e më shumë rajoneve si veriu nëpër Kosovë, do t’i shkaktojë vetes më shumë kokëçarje se stabilitet në të ardhmen siç pretendon. Kjo, ngase me më shumë rajone të tilla ku pushteti i Prishtinës do të relativizohej, Kosova do të shndërrohej në një habitat ku barrikadat do të shumoheshin e politika e manipulimeve do të rritej.

Gabime janë bërë shumë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, por edhe më herët me Pakon e Ahtisaarit, të cilat Kosovës edhe ashtu të dobët ia vështirësuan funksionimin. Ka qenë më herët dhe jo veç tani në këtë funddhjetor, koha e fundit që sikur institucionet kosovare ashtu edhe Perëndimi ta kuptojnë rrezikun e lehtësisë së ballafaqimit me një situatë që përcakton të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Institucionet duhet ta kuptojnë që nuk do të duhej të ishin më një grup njerëzish tekesh të ndryshme që o nuk flasin, o lëshojnë fjalë, pesha e të cilave më shumë prish se që ndreq. Kjo, pikësëpari për të respektuar qytetarë e vet. Dhe e dyta, krahas një pale tjetër që as edhe një shkronjë nuk e nxjerr pa një qëllim. Ky fundvit do të duhej të ishte një alarm e një mësim për të gjitha palët e përfshira që të këqijat të cilat ende nuk janë bërë, është më mirë të mos bëhen.

Po hyjmë në një vit të ri paqartësish rreth të ardhmes politike të Kosovës, sigurisë, mirëqenies së qytetarëve të goditur rëndë nga inflacioni, problemesh si kurrë më parë në arsim e shëndetësi. Ditët festive e urimet e shumta nxisin shpresën mes nesh, por të jemi realistë, asgjë e mirë nuk do të ndodhë po qe se institucionet së pari e edhe qytetarët nuk fillojnë të merren seriozisht me detyrat e veta.

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë