Për një vit pa edhe një emër!

2022-ta nisi dhe u përmbyll me raste të grave të vrara. Viktimat në fund mbetën veç emra. Sikurse në vitet e tjera, do të përmendën sa herë që duhet për kauza “në letër” dhe, po, për mbledhje fondesh në emër të luftës ndaj dhunës kundër grave dhe vajzave.

Gjashtë plumba iu shkrepën Lirije Qerimajt nga arma e drejtuar prej bashkëshortit në fillimin e 2022-tës. Vrasja para syve të vajzës e nënës së tre fëmijëve nga Skenderaj do të ishte e para për vitin, por jo edhe e fundit.

Rasti që ndodhi më 5 janar ngjalli reagime, postime mllefi në rrjetet sociale e protesta. U kërkua dënim maksimal për vrasësin e dorëheqje për prokuroren që me mosveprim ia shtroi rrugën vrasjes.

Qerimaj e kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë. Prokurorja e pati liruar të dyshuarin me procedurë të rregullt, ani se denoncuesja kishte kërkuar edhe mbrojtje institucionale. Vrasja ndodhi pas lirimit, pak ditë nga denoncimi. Muaj më vonë Skënder Qerimaj e mori dënimin me 24 vjet burgim e prokurores, që e liroi atë fillimisht, iu bë vërejtje publike me shkrim.

Rreth 10 muaj më vonë, në nëntor, një tjetër grua do të vritej nga bashkëshorti. Arsimtarja 63-vjeçare nga Prishtina do të qëllohej me sëpatë derisa ishte në gjumë. Bashkëshorti iu dorëzua policisë.

Akti i rëndë trandi çdokënd. Për përmasën tronditëse të veprës u shkrua dhe u raportua për disa ditë rresht. Por nuk u arrit të protestohej. “Radhën” protestës do t’ia zinte një tjetër vrasje.

Një 35-vjeçare, në muajin e nëntë të shtatzënësisë, do të mbetej e vdekur para oborrit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, në mbrëmjen e ditës së fundit të nëntorit. Ajo, bashkë me foshnjën që priste ta lindte, u vra me armë zjarri nga bashkëshorti me të cilin ishte në procesin e divorcit.

Rasti i dha kambanës së alarmit. Në Inspektoratin Policor u nisën hetime ndaj zyrtarëve policorë që e neglizhuan urdhrin e mbrojtjes për viktimën. U kërkua shkarkimi i përgjegjësve për dështim në zbatimin e protokollit të lëshuar pasi viktima e pati denoncuar dhunën nga burri. U kualifikuan të dështuar të gjithë mekanizmat mbrojtës. Dhe, po, u mbajtën edhe protesta nëpër rrugët e Prishtinës.

Mes gjithë këtyre, vrasësi ndodhej ende në arrati. Kur policia lokalizoi se ndodhej në shtëpinë e tij, ai e zgjodhi vetëvrasjen para dorëzimit.

U shkrua dhe u raportua edhe për disa ditë pasuese. Ngeli me kaq!

***

“As edhe një tjetër” u shndërrua në një slogan spotesh promovuese e postimesh në Facebook që do t’i thërrisnin gratë e vajzat t’i raportonin dhunuesit. Por, pa u përcjellë edhe me garanci a opsione që pas denoncimit t’u ofrohej mbrojtje. Atyre që u shpëtojnë “dënimit” pas denoncimit, strehë shteti mund t’u ofrojë vetëm përkohësisht. Në një grusht strehimoresh, pa përkrahje buxhetore, ato mund të mbahen gjashtë deri në maksimum 12 muaj. Pastaj do të vihen, në rastin më të mirë, përpara tri opsioneve – një të ardhmeje që s’mund t’ia dinë përfundimin, trokitjes në derën e prindërve apo kthimit tek ai që mund t’u bëhet vrasës.

Rastet e vrasjes së grave e vajzave nga burrat apo partnerët nuk kufizohen me Kosovën. Janë pjesë e asaj që edhe është kualifikuar si një “pandemi e heshtur” që s’e kursen asnjë shtet.

Një raport i Zyrës së OKB-së për Narkotikë e Krime, i publikuar gjatë 2022-tës, tregoi se të paktën 45.000 gra e vajza u vranë përreth botës nga partnerët apo familjarët e tyre më 2021. Që i bie, më shumë se pesë për çdo orë. Bilanci u cek se mund të ishte edhe më i lartë, ngase pjesa më e madhe e rasteve të dhunës përbrenda familjes as nuk raportohen. Se ajo që ndodh brenda shtëpisë ngelet brenda shtëpisë.

Shtëpinë ky raport i OKB-së e përkufizon si vend të rrezikshëm për gratë e vajzat.

Dhuna në familje në shumë vende të botës, përfshirë Kosovën, shihet ende si një çështje private midis anëtarëve. Në shumicën e shteteve që nuk kualifikohen si demokraci të njëmendta, janë viktimat ato që fajësohen për vrasjen. U gjendet përherë një vjegëz për fajin. Ata që e ushtrojnë dhunën nuk ndëshkohen në proporcion me veprën që e kryejnë. U llogaritet rrethanë lehtësuese bashkëpunimi me organet e drejtësisë. Prodhohet një kulturë edhe e mosndëshikimit. Dhe kryerësit në fund prapë u kthehen abuzimeve.

Por dhuna në familje s’është veç çështje e një grupi njerëzish që llogariten të gjakut.

Për të kontribuar në ndaljen e dhunës dhe të vrasjes së grave e vajzave brenda mureve të shtëpisë duhet llogaritur secila viktimë, edhe ajo potenciale, dhe të lexohen më mirë treguesit që e shpërfaqin rrezikun. Prapa secilit denoncim është një rrëfim, janë sinjalet që mund ta shmangin edhe një dhunë a vdekje.

***

Përveç vrasjeve, më 2022 u raportuan edhe shumë raste të dhunës seksuale ndaj grave e vajzave. Një 11-vjeçare nga Prishtina u dhunua në tri rrethana. Të parën në qershor nga 11 burra. Të dytën në natën e 27 gushtit nga pesë. Në të tretën edhe nga shteti. Ngase, ani se ishte e informuar për rastin e parë të dhunimit, veprime nuk bëri.

Rasti u trajtua vetëm pas denoncimit të gushtit, kur dhunimi i vajzës rroku vëmendjen e publikut dhe u bë shkak edhe për protesta të tjera. U kapën të dyshuarit dhe ndaj tyre u nisën procedurat e zakonshme ligjore.

Për mosveprim, u bë thirrje për dorëheqjen e kryeprokurorit të Themelores dhe kolegëve të tij që e patën dosjen në duar e s’bënë gjë. Në përjashtim të disa shkarkimeve, veprim drejt jetësimit të kërkesave s’pati. U dhanë dy dorëheqje morale. Dhe kaq!

Drejtësia më 2022 u nis për vrasjen e Marigona Osmanit në të 2021-tën. U ngrit aktakuza e të akuzuarit e pranuan fajësinë. Dhe gjykimi është në zhvillim. Për burgimet e shqiptuara ndaj vrasësve të Donjeta Pajazitajt, Vlabona e Klara Ndrecajt dhe Sabile Mavrovqanit dënimet u zbutën.

Në vitin që nisi dhe u përmbyll me raste të grave të vrara, viktimat në fund mbetën veç emra. Sikurse në vitet e tjera, do të përmendën sa herë që duhet për kauza “në letër” dhe, po, për mbledhje fondesh në emër të luftës ndaj dhunës kundër grave dhe vajzave.

Që Lirijet, Sadijet e Hamidet të mos mbesin vetëm emra, gëzuar për një vit pa edhe një emër!

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë