Dëshmitarja e mbrojtjes në rastin ndaj Endrit Nikës, doktoresha Blerina Gashi, ka dhënë dëshminë e saj sot në rigjykimin e Nikës si i dyshuar për vrasjen e argjentinases Maria Clara Urdangaray.
Në dëshminë e saj, Gashi ka thënë se Maria Clara Urdangaray ka qenë e vetëdijshme kur ka shkuar në QKMF në Fushë Kosovë ku ajo ishte kujdestare atë natë.
“Në QKMF Fushë Kosovë, vazhdoj të punoj në të njëjtin vend si doktoreshë. Kam dhënë deklaratë në polici dhe në gjykatë, për këtë rast. Kam dërguar email në adresë të prokurorit të shtetit, lidhur me dokumentacion mjekësor, i kam dhënë sqarim që nuk ekziston një dokument në QKUK. Kam qenë kujdestare, është marrë thirrja që dikush ka rënë nga kati gjashtë, kemi shkuar pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar. E kemi marrë në autoambulancë, gjatë kohës që kemi qenë në autoambulancë rrugët e frymëmarrjes i ka pasur të lira, nuk ka pasur fraktura të jashtme që janë vërejtur, kemi vendosur terapinë në autoambulancë edhe gjatë tërë rrugës, kemi biseduar me pacienten në gjuhën angleze”, tha ajo.
Blerina Gashi ka thënë se e kanë pyetur viktimën e këtij rasti nëse ka tentuar të hidhet vetë apo e ka shtyrë dikush, dhe në të dy përgjigjet ajo ka thënë jo.
“Emri, mbiemri çfarë moshe ka, a ka tentu me u hudh vetë apo, e ka shtyer dikush. Dy përgjigjet e saj kanë qenë jo, jo. Ka pasur maic dhe të brendshme të veshur”,tha ajo.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu rastin në rigjykim.
Endrit Nika është shfaqur sot sërish para trupit gjykues, bashkë me avokatin mbrojtës, Tomë Gashi, raporton lajmi.net.
Në seancën e 28 majit 2025 i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Aktakuzën e ka ngritur më 11 shkurt 2025 Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës, nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal”, thuhet në aktakuzë./Lajmi.net/Portali Alarm/
