Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla në konferencën për media ka folur mbi raportin që ia dorëzoi dje kryeministrit Albin Kurti për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ajo foli për evidentimet që janë gjetur në Prokurorinë Themelore dhe për mosvperimet e marra, transmeton lajmi.net.
“Edhe lidhur me veprimet e Prokurorisë raporti evidenton probleme serioze, Prokuroria ishte e informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt që nga 10 korriku. Dokumentacioni tregon se për zhvillimet e rastit ishin informuar vazhdimisht Prokurorët dhe Kryeprokurorja e atëhershme, Lumturije Vuçetaj. Veçanërisht shqetësues është edhe një fakt, me 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes, edhe kryeprokurorja ishte informuar me shkrim se Arlinda Zekaj kishte raporutar një kërcënim të drejtpërdrejt me vrasje nga Albert Syla. Sipas dokumentacionit, Prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje dhe kishte kërkuar nga personat e dyshuar të sigurojnë pamjet e kamerave të sigurisë. Nuk kemi dokumentacion që tregon se nëse këto pamje janë dorëzuar dhe cilat veprime të mëtejshme janë ndërmarrur. Dy ditë më vonë, Albert Syla dyshohet se vrau Arlinda Zekaj me sëpatë. Raporti evidenton edhe mos adresimin e vazhdueshëm të kërkesës së saj për t’u kthyer në shtëpi e vetë. Në vend që të zbatohej vendimi gjyqësor, asaj iu rekomandua që të zgjidhte çështjen e pronës së saj përmes kontestit civil, në disa raste asaj iu rekomandua që të largohej nga shtëpia për arsye sigurie. Pra, të jemi të qartë, në vend që të largohej rreziku nga viktima, viktimës i kërkohej të largohej nga rreziku, duke hequr dorë nga shtëpia e saj. Raporti po ashtu ngreh shqetësime për vlerësimin e rrezikut nga familjarët e bashkëshortit dhe po mos adresimin e shqetësimeve lidhur me qëndrimin e fëmijës te persona të tretë. Në këtë konteste duhet përmendur se tash janë suspenduar nga detyra dy nga prokuroret e përfshira në rast. Ky është një hap i rëndësishëm në procesin e shqyrtimit të përgjegjësive institucionale. Suspendimi normalisht nuk përbën konstatim përfundimtar të përgjegjësisë, por mundëson zhvillimin e procedurave përkatëse pa pengesa. Presim që Sistemi Prokurorial të vazhdoj shqyrtimin e plotë të veprimeve dhe të mos veprimeve dhe të sqaroj të gjitha rrethanat dhe aty ku konstatohen shkelje të ndërmerren masa e parapara me ligj.”, tha fillimisht ajo.
Tutje, ajo foli edhe për përgjegjësinë e Qendrës për Punë Sociale.
“Kalojmë tek Qendra për Punë Sociale. QPS kishte kontakt të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn. Megjithatë, raporti evidenton që QPS nuk e kishte konsideruar detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e Arlinda Zekajt në shtëpinë e përbashkët. Po ashtu QPS nuk dorëzoi , ashtu siç ishte kërkuar nga Gjykata brenda afatit raportin e kërkuar. Me 5 tetor, përfaqësuesi i QPS-së mungoj në seancë dhe raporti nuk ishte dorëzuar, duke kontribuar në shtyrjen e mëtejshme të seancës.”, tha ajo.
Gërvalla pastaj vazhdoj të flas edhe për komunën e Pejës dhe kompetencat e kryetarit, Gazmend Muhaxheri.
“Një tjetër çështje është përgjegjësia e Komunës së Pejës për mbikëqyrjen e QPS-së. Ju e dini që kryetari i Komunës të veçanta të parapara me ligjin për parandalimin e dhunës në familje. Nga komuna kemi marrë vetëm një përgjigje prej 7 rreshtave që konfirmon se rasti qenka diskutuar në mekanizmat koordinues komunal.”, u shpreh ajo.
Ministrja e Drejtësisë në fund hodhi dyshime se në këtë rast mund të ketë pasur ndikim nga qarqet politike, por pastaj u tërhoq se raporti nuk ka prova për një ndikim të tillë.
“Vrasja e Arlinda Zekajt me shumë gjasë mund të ishte parandaluar. Duhet të shqyrtohet një pyetje tjetër, a mund të shpjegohen të gjitha këto mosveprime vetëm me neglizhencë apo ka pasur edhe ndikime të jashtë, përfshirë edhe ndikime nga qarqe politike apo kriminale? Raporti nuk përmban prova të drejtëpërdrejta për një ndikim të tillë. Nuk mjafton të konstatohet se institucionet kanë dështuar, duhet të zbardhim edhe pse kanë dështuar.”, tha ajo./lajmi.net/Portali Alarm/
