Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat, duke theksuar se vendi meriton të trajtohet në bazë të meritave dhe reformave që ka ndërmarrë.
Në një intervistë për gazetën irlandeze The Irish Times, Kurti ka folur për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, marrëdhëniet me Serbinë, zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor dhe ndikimin e Rusisë në rajon.
Gjatë intervistës, ai ka theksuar se Kosova nuk po kërkon trajtim të privilegjuar apo rrugë të shkurtër drejt anëtarësimit në BE, por vetëm mundësinë për të nisur zyrtarisht procesin e integrimit.
“Ne vërtet e meritojmë të marrim statusin e vendit kandidat. Nuk po kërkojmë një favor. Po kërkojmë një pyetje, sepse ne do t’i japim përgjigjet”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është po aq i rëndësishëm sa vetë anëtarësimi, pasi përmes tij Kosova do të mund të përshpejtojë reformat në administratën publike, sistemin e drejtësisë dhe arsim.
“Pa rrugë të shkurtra, pa dyer të pasme dhe pa përshpejtime të veçanta. Ne po kërkojmë një proces të bazuar në merita”, ka thënë Kurti, duke shpjeguar qëndrimin e tij për raportet e Kosovës me institucionet evropiane.
Pesë shtete të BE-së ende nuk e njohin Kosovën
Një prej pengesave kryesore për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian mbetet fakti se pesë shtete anëtare të këtij unioni nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Bëhet fjalë për Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Greqinë dhe Rumaninë. Kjo situatë vazhdon ta komplikojë rrugën evropiane të Kosovës, e cila ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
Në intervistë, Kurti ka theksuar se Kosova po kërkon nga Komisioni Evropian që të shqyrtojë mundësinë e dhënies së një opinioni për gatishmërinë e vendit për të nisur procesin e anëtarësimit.
Ndërkohë, ai ka vënë në dukje dallimin në trajtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rikujtuar se Mali i Zi e ka marrë statusin e kandidatit në vitin 2010, Serbia në vitin 2012, ndërsa Shqipëria në vitin 2014.
Kurti flet për marrëdhëniet me Serbinë
Një pjesë të rëndësishme të intervistës, kryeministri ia ka kushtuar edhe dialogut me Serbinë dhe nevojës për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Kurti ka ritheksuar se Kosova synon normalizim të plotë të raporteve me Serbinë, të bazuar në njohje reciproke.
Ai ka akuzuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se gjatë viteve të fundit ka mbështetur politika që, sipas tij, kanë synuar destabilizimin e institucioneve të Kosovës.
Duke folur për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku u vra polici Afrim Bunjaku, Kurti ka përmendur përgjegjësinë që ia atribuon Beogradit dhe ka kritikuar veprimet e grupeve të armatosura serbe në veri të vendit.
Ai ka shprehur kënaqësinë për ndryshimet politike në Serbi, por ka thënë se ende mbetet e paqartë se çfarë qëndrimi do të mbajë qeveria e re ndaj Kosovës.
“Ta dish kush i humbi zgjedhjet nuk do të thotë se e di kush i fitoi ato”, është shprehur Kurti, duke komentuar zhvillimet politike në shtetin fqinj.
Kryeministri flet edhe për Rusinë dhe luftën në Ukrainë
Gjatë intervistës, Kurti ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, duke shprehur shpresën se qeveria e re në Serbi do të ketë orientim më të theksuar evropian.
Ai ka theksuar se Kosova qëndron në anën e Ukrainës dhe se mbështetja për këtë shtet është e rëndësishme për mbrojtjen e demokracisë në Evropë.
“Evropa është në luftë”, ka deklaruar Kurti, duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë.
Kryeministri ka shprehur gjithashtu skepticizëm për gatishmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për të arritur një marrëveshje të mirëfilltë paqeje me Ukrainën.
Kurti flet edhe për kohën në burg dhe letërsinë e James Joyce
Në fillim të intervistës, mediumi irlandez ka vënë në pah edhe anën personale të kryeministrit kosovar, duke u ndalur te përvoja e tij në burg gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Kurti ka treguar se gjatë kohës sa ishte i burgosur kishte lexuar dy nga veprat e njohura të shkrimtarit irlandez James Joyce, “Ulysses” dhe “A Portrait of the Artist as a Young Man”.
Ai ka përmendur gjithashtu librin “Dubliners”, të cilin e kishte lexuar pas lirimit nga burgu.
Kurti ka thënë me humor se ende nuk e ka lexuar “Finnegans Wake”, duke e cilësuar atë si një libër mjaft të rëndë.
Ai ishte arrestuar gjatë luftës në Kosovë, në fund të viteve të 90-ta, kur ishte aktivist dhe një nga organizatorët e protestave studentore. Pas dënimit nga regjimi serb, ai ishte liruar në vitin 2001.
Intervista është zhvilluar në Dublin, në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian, ku morën pjesë udhëheqës të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera evropiane.
Në intervistë, Kurti ka përcjellë mesazhin se Kosova synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian përmes një procesi të rregullt, të bazuar në reforma dhe kritere të barabarta për të gjitha vendet kandidate. /Lajmi.net/Portali Alarm/
