Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ndaj shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, lidhur me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Musliu ka thënë se është e rëndësishme që raportimi për procesin të jetë real dhe të pasqyrojë atë që ka ndodhur gjatë konkursit.
Sipas saj, shumica e kandidatëve shqiptarë nuk janë tërhequr nga gara për shkak të mospërmbushjes së kritereve, por kanë hequr dorë nga procesi dhe nuk janë paraqitur në intervistim, pavarësisht se i kanë plotësuar kushtet.
Ajo ka theksuar se kjo situatë duhet t’i shqetësojë të gjitha institucionet, duke kërkuar krijimin e kushteve që profesionistët të inkurajohen për të kandiduar dhe për të vazhduar procedurat pa ndikime politike.
“RTK nuk është e asnjë partie politike, prandaj të gjithë pa dallim duhet t’i mbajmë larg duart nga institucionet e pavarura”, ka deklaruar Musliu.
Deputetja e PDK-së ka kërkuar që procesi i përzgjedhjes të jetë transparent dhe që institucionet të reflektojnë mbi arsyet që kanë bërë që kandidatët të tërhiqen nga gara.
Sipas saj, është e rëndësishme që në institucionet e pavarura të krijohet siguri për profesionistët që duan të kontribuojnë në to. /Lajmi.net/Portali Alarm/
