Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare, ku pritet të shqyrtohen 3 projektligje dhe raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2025.
Seanca është paraparë të nisë në orën 12:00, ndërsa në rend dite janë edhe pyetjet parlamentare dhe deklarimet jashtë rendit të ditës.
Sipas njoftimit të Kuvendit, deputetët do të shqyrtojnë propozimet e grupeve parlamentare për zëvendësimin dhe emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe miratimin e fushëveprimit të këtyre komisioneve për Legjislaturën XI.
Në rend dite është shqyrtimi i parë i Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Projektligjit për Regjistrimin e Bujqësisë dhe Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor të Auditimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e mëparshme, për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare./lajmi.net/Portali Alarm/
