Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me etiketimet ndaj veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe bashkëpunëtorëve të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke i cilësuar ata si UDB-ashë në studio televizive.

Në një postim, Osmani ka thënë se këto etiketime po bëhen edhe në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, duke kritikuar gjuhën e përdorur ndaj atdhetarëve dhe veprimtarëve të LDK-së.

“ Në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, qytetarët e Kosovës detyrohen të dëgjojnë në studio televizive një tjetër ligësi: atdhetarët më të spikatur të këtij vendi, veprimtarët e LDK-së dhe bashkëpunëtorët e afërt të presidentit Rugova, të etiketohen si UDB-ashë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se, sipas saj, urrejtja ndaj LDK-së ka arritur deri në njollosjen e atyre që janë vrarë, ndërsa ka theksuar se kërkimi i së vërtetës dhe drejtësisë për vrasjet e pazbardhura nuk duhet të cilësohet si përçarje.

“Deri këtu paska arritur urrejtja ndaj LDK-së: të njollosen edhe ata që u vranë, vetëm pse kërkojmë të vërtetën për vrasjet e tyre dhe drejtësi për krimet që ende nuk janë zbardhur”, ka deklaruar ajo.

Osmani ka ftuar ata që, sipas saj, ende pyesin se çfarë e ushqeu urrejtjen, përçarjen dhe fushatën e atentateve ndaj veprimtarëve të LDK-së, t’i dëgjojnë deklarimet në studio televizive.

“Kushdo që ende pyet se çfarë e ushqeu urrejtjen, përçarjen dhe fushatën e atentateve ndaj veprimtarëve të LDK-së, le t’i dëgjojë këto zëra në studiot televizive. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, e njëjta gjuhë, të njëjtat etiketime dhe e njëjta përpjekje për ta përmbysur të vërtetën”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se kërkimi i drejtësisë për të vrarët nuk është përçarje, por përçarje, sipas saj, është njollosja e viktimave dhe arsyetimi i krimeve.

“Të kërkosh drejtësi për të vrarët nuk është përçarje. Përçarje është të njollosësh viktimat, të arsyetosh krimet dhe të heshtësh përballë vrasjeve”, ka thënë Osmani.

Ish-presidentja ka reaguar me tone të ashpra ndaj atyre që i cilësoi si përçarës, duke thënë se nuk do të mund ta ndryshojnë të vërtetën përmes njollosjes së viktimave.

“Zoti ju marroftë, o përçarës! As pas kaq shumë vjetësh nuk u ngopët me urrejtje, me helmimin e opinionit publik dhe me justifikimin e tragjedisë së vëllavrasjes. Nuk do ta ndryshoni dot të vërtetën duke njollosur viktimat. Dhe nuk do ta ndalni kërkimin e drejtësisë duke fyer të vrarët”, shtoi Osmani./IndeksOnline/Portali Alarm/