Regjisori i njohur amerikan Quentin Tarantino, 63 vjeç, është bërë baba për herë të tretë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Daniella Pick Tarantino, kanë mirëpritur në jetë një djalë.

Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i regjisorit për revistën People, duke bërë të ditur se çifti është shumë i lumtur për ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të tretë.

Tarantino dhe Daniella, të martuar që nga viti 2018, janë prindër edhe të dy fëmijëve të tjerë: Leo, 6 vjeç, dhe Adriana, 4 vjeçe.

Çifti u njoh në Izrael në vitin 2009, kur regjisori po promovonte një nga filmat e tij. Pas një periudhe lidhjeje dhe ndarjeje, ata u ribashkuan në vitin 2016 dhe u fejuan një vit më vonë. Në vitin 2018 kurorëzuan dashurinë me martesë në Los Angeles.

Para se të bëhej baba për herë të parë, Tarantino kishte treguar se dëshironte të tërhiqej gradualisht nga regjia për t’iu përkushtuar më shumë familjes.

“Ndihem sikur ka ardhur koha që pjesën e tretë të jetës sime t'ia kushtoj më shumë shkrimit. Kjo do të ishte diçka e mirë për mua si baba dhe bashkëshort i ri. Nuk do të doja ta merrja familjen time me vete në Gjermani, Sri Lanka apo kudo tjetër ku zhvillohet filmi i radhës. Dua të jem më shumë pranë shtëpisë”, ishte shprehur ai për ABC News.

Regjisori i filmave të njohur si “Pulp Fiction”, “Reservoir Dogs” dhe “Django Unchained” kishte pranuar gjithashtu se kinemaja po ndryshon dhe se ishte koha që brezi i ri i regjisorëve të merrte më shumë hapësirë.

“Besoj se regjia është një profesion për të rinjtë. Kinemaja po ndryshon dhe unë i përkas disi brezit të vjetër”, pati deklaruar Tarantino.lajmi.net/Portali Alarm/