Prokuroria Themelore në Prizren, i ka ngritur aktakuzë dy personave me inicialet B.K dhe F.S, ky i fundit gjendet në arrati pasi dyshohet se kanë kryer veprën panele “fajdeja”.

Gjithashtu, aktakuza i është ngritur edhe të pandehurit H.T, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Sipas aktakuzës, të pandehurit B.K. dhe F.S., duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., kanë dhënë hua në shuma të ndryshme parash, duke vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm jo proporcionale me shumat e huazuara. Në këtë mënyrë, përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për pagesën e detyrimeve, të pandehurit kanë përfituar shuma të konsiderueshme pasurore, ndërsa të dëmtuarve L.S., dhe babait të tij M.S., u kanë shkaktuar dëm në shumën prej 140,000 euro. Ndërsa, i pandehuri H.T., gjatë muajit prill 2024, në Suharekë, nga i dëmtuari M.S., e merr origjinalin e marrëveshjes së huasë, të lidhur ndërmjet B.K., dhe L.S., me pretekstin se do t’ia prezantojë B.K., mirëpo, pasi ia prezanton, e shkatërron dokumentin dhe e bën të papërdorshëm, me qëllim të pamundësimit të përdorimit të tij në procedurë penale”, thuhet në njoftim të Prokurorisë. 

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Lajmi.net/Portali Alarm/