Pas raportimit për lëndimin e një ushtari gjatë një aktiviteti stërvitor në Babaj të Bokës, ka reaguar Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Përmes një njoftimi, FSK-ja ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur më 23 nëntor 2026, në poligonin ushtarak, ku një pjesëtar ka pësuar lëndime të lehta.

“Menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja shëndetësore e pjesëtarit është stabile”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Tutje, FSK-ja ka bërë të ditur se rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse.

“Rrethanat e incidentit janë duke u trajtuar nga strukturat përgjegjëse, në përputhje me procedurat institucionale”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për Lajmi.net se ushtari është sjellë nga Spitali i Gjakovës.

“Gjendja stabile, janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë për trajtim të mëtejshëm”, ka deklaruar Syla. /Lajmi.net/Portali Alarm/