Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Gjilan, ku një burrë 27 vjeçar dhe një foshje tre muajshe u gjetën pa shenja jete brenda shtëpisë në fshatin Demiraj.
Fillimisht nga ky rast u raportua se dyshja vdiqën pasi Adonis Demiri hapi një mjet të dyshimtë (bombë) dhe e njëjta shpërtheu në duart e tij duke i marrë jetën që të dyve.
Por më pas detaje shtesë dolën nga rasti.
Policia e Kosovës arrestoi babain e Adonisit, Brahim Demiri.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se informacionin për dy persona që dyshohej se kishin ndërruar jetë e kishte pranuar rreth orës 08:47. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku vdekja e të dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar.
“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete”.
Pas hetimeve fillestare, Policia ka bërë të ditur se dyshohet që rasti të ketë ndodhur brenda familjes, ndërsa si i dyshuar është arrestuar një 65-vjeçar, i identifikuar si babai i viktimës.
Pas arrestimit, ia është ndaluar për 48 orë.
“Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës (gjashtëdhjetë e pesë vjeçar), i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si ‘vrasje e rëndë”,thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit të Shtetit trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Lajmi.net dje raportoi në lidhje me detajet e para dhe faktin se foshnja në këtë rast po jetonte me babain e saj, pasi nëna (gruaja e Adonisit) i kishte braktisur që të dy për shkak të problemeve të vazhdueshme të këtij të fundit.
Madje sipas të njëjtave burime tanimë i ndjeri kishte pasur probleme edhe me përdorimin e narkotikëve, gjë që më pas kishte ndikuar edhe në ndarjen e tyre.
Foshnja tre muajshe po jetonte me të atin, derisa siç u raportua dje ishte ai që i mori fillimisht jetën foshnjës e më pas gjyshi i saj i mori jetën djalit, Adonisit.
Këto të dhëna nuk janë konfirmuar ende në detaje nga autoritetet përkatëse.
Rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë, si dhe motivi i mundshëm, mbeten ende për t’u zbardhur nga hetimet e organeve të drejtësisë./Lajmi.net/Portali Alarm/
