Kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, ka raportuar sot në Komisionin për Integrim Evropian.
Ai para deputetëve ka thënë se Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë euro, ku 2/3 e tyre janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash me afat deri në fund të gushtit të vitit që vjen.
“Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë euro. Shuma përfundimtare do të mbahet prej vlerësimit të Bashkimit Evropian, me ç’rast po besojmë që në këto ditë të para të nëntorit do ta bëjnë të ditur se sa realisht do të jetë vlerësimi i saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë, deri në qershor 2026, zbatuam shtatë dhe gjashtë jo. Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, ka thënë Zulfaj.
Ai ka treguar arsyet pse këto para kanë humbur.
“Shumica e tyre kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur Kuvendi, siç e dini, ishte i shpërndarë. Megjithatë, të gjitha këto reforma janë në rrugë të zbatohen këtë vit, ligji për energjinë, për falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar, pra të gjitha reformat, sepse procesi në tërësimi në BE është proces reformator, dhe të gjitha reformat të cilat nuk kanë arritur afatin e qershorit janë kthyer sërish në Kuvend, në qeveri fillimisht, pastaj në Kuvend, ashtu që të mos humbet asnjë reformë. Edhe nëse mjetet nuk arrijnë të përmbushen me kohë”, tha ai.
Zulfaj ka thënë se i kemi para vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë eurove, që skadojnë më 31 dhjetor.
“Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë, 10 akte duhet të kalojnë në këtë Kuvend, projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim. Varësisht nga vonesat që shkaktojnë edhe Komisioni Evropian, në dërgimin e komenteve, sepse pjesë e procesit të hapave është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, ku secili hap, sidomos në hapat e ligjeve, kërkohet që përveç konsultimeve publike që i kemi ne si pjesë e procesit, duhet të konsultohen edhe me Bashkimin Evropian, dhe Bashkimi Evropian i kërkon diku rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente dhe kjo pastaj shkakton edhe vonesa të tjera që vonojnë ligjet. Ligjet që besoj që duhet të vijnë deri në fund të nëntorit, projektligji për inovacion, siç thashë, është këtu; projektligji për prokurimin publik, për partneritetin publiko-privat”, tha Zulfaj. /Lajmi.net/Portali Alarm/
