Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli ka deklaruar se kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Presidentja, duhet të shërbejë si mekanizëm për reflektim parlamentar, duke theksuar se përsëritja e votimit pa ndryshime në përmbajtje nuk nënkupton përmirësim të ligjit.

Këtë deklarim ai e bëri në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të enjten, ku u shqyrtua vendimi i Presidentes për kthimin në rishqyrtim të Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Qorrolli i cili njëherësh është kryetar i Komisionit, tha se neni 80, paragrafi 4 i Kushtetutës ia njeh Kuvendit mundësinë për ta përmbysur veton e Presidentes, por theksoi rëndësinë e shqyrtimit serioz të arsyeve për kthimin e ligjit.

“Kthimi presidencial që e ka bërë Presidentja është një mekanizëm që kërkon reflektim parlamentar. Pikërisht me këtë frymë, neni 80.4 ia njeh Kuvendit të drejtën që ta përmbysë veton e Presidentes. Por, duhet t’i marrim seriozisht arsyet e kthimit”, deklaroi ai.

Sipas tij, në vendimin e Presidentes nuk janë dhënë arsye të qarta për kthimin e ligjit, ndërsa ekziston kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizuese e tij, për procedimin e mëtejmë.

Ai sqaroi se Komisioni nuk është organi që vendos përfundimisht për ligjin, pasi vendimmarrja i takon Kuvendit.

“Ne ia dërgojmë Kuvendit, e nëse Kuvendi e përmbys veton dhe e miraton ligjin, ai konsiderohet i shpallur. Nëse kjo shumicë nuk arrihet, konsiderohet që nuk ka ligj”, tha ai.

Ai shtoi se sponsorizuesi ka të drejtë të insistojë në miratimin e tekstit të njëjtë, por kjo nuk nënkupton se ligji është përmirësuar.

“Sponsorizuesi mund të insistojë për të njëjtin tekst. Prandaj, mund të kërkoni votimin e sërishëm, por s’mund të pretendoni se përsëritja e votimit pa reflektim në përmbajtje përmban përmirësim të ligjit”, deklaroi Qorrolli.