Një protestë e organizuar nga pjesëtarë të diasporës shqiptare në Dublin të Irlandës ka shoqëruar vizitën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku një person është arrestuar nga policia pas një incidenti gjatë tubimit.

Sipas mediumit irlandez The Irish Times, protesta u zhvillua pranë Institutit për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), ku Rama po mbante një fjalim lidhur me rrugëtimin e Shqipëërisë drejt Bashkimit Evropian.

Protestuesit, kryesisht shqiptarë që jetojnë në Irlandë, shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë në Tiranë, duke kërkuar më shumë llogaridhënie dhe angazhim më të madh të institucioneve evropiane në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Ata thanë se synimi i tyre ishte të merrnin pjesë në aktivitet dhe t’i drejtonin pyetje kryeministrit, por pretenduan se regjistrimet e tyre për pjesëmarrje ishin anuluar nga organizatorët.

Sipas tyre, fillimisht kishin siguruar bileta përmes faqes së institutit, por më pas ishin njoftuar se aktiviteti ishte vetëm për anëtarët, transmeton Telegrafi.

Një nga protestueset, E.F, deklaroi se kërkesa e tyre ishte që Shqipëria të përfitonte të njëjtin trajtim nga Bashkimi Evropian si Irlanda në rrugëtimin e saj evropian.

Ajo theksoi se qëllimi i protestuesve nuk ishte ndërprerja e aktivitetit, por mundësia për t’i bërë pyetje Ramës.

Situata u tensionua me mbërritjen e kryeministrit, i cili u prit me thirrje protestuese. Gjatë largimit të tij drejt automjetit, të paktën një vezë u hodh në drejtim të tij, ndërsa në zonë kishte prani të policisë irlandeze.

Policia konfirmoi se kishte ndërhyrë rreth orës 12:30 pas një incidenti të rendit publik. Një burrë në të 50-at u arrestua, por më vonë u lirua pa u ngritur akuza ndaj tij.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Institutit për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane deklaroi se aktivitetet e institucionit janë të hapura për anëtarët, përveç rasteve kur specifikohet ndryshe.

Ajo tha se personat që kishin regjistruar pjesëmarrjen pa qenë anëtarë ishin kontaktuar paraprakisht dhe u ishte ofruar mundësia ta ndiqnin aktivitetin online, ku gjithashtu mund të parashtronin pyetje.

Protesta u zhvillua në prag të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili mbahet në Dublin më 12 nëntor dhe ku marrin pjesë liderë të shumtë evropianë./lajmi.net/Portali Alarm/