Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj ka folur në Kuvendin e Kosovës në lidhje me vizitën e Listës Studentore në Kosovë.

Ai ka thënë se vizita e politikanëve nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohet me protokoll të vizitave dhe dhënia e lejeve duhet të bëhet me kritere të qarta.

“Vizitat duhet të monitorohen, në rast se gjatë tyre ndodh shkelje ose cenim i rendit kushtetues apo dërgohen porosi përqarëse të urrejtjes dhe kundër rendit kushtetues duhet të zbatohet ligji i Kosovës. Herën tjetër do të kërkojmë përgjegjësi nga kushdo që ka bërë lëshime dhe cila do instancë që nuk e ka kry punën e vet në rast të këtyre vizitave”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se vizita e politikanëve nga Serbia mund të ndalohet nëse kanë bërë deklarime që kanë cenuar rendin kushtetues apo bashkëjetesën në Kosovë.

“Kur vinë politikanët në tempuj fetarë, nxisin urrejtje, ajo shkakton pasoja të brendshme në vend. Interesin e sigurisë së Kosovës, të gjithë ata politikanë nga Serbia që ndonjëherë kanë bërë deklarata të tilla, duhet t’i ndalohet hyrja në Kosovë. Nëse njëherë kanë bërë deklarime të tilla, duhet t’i ndalohet hyrja në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Kosovë nëse dikush nga ata nuk i përmbahet rregullave të lejes së dhënë, duhet t’i ndërpritet leja dhe të arrestohet. Unë e kuptoj që ky është një zingjir i institucioneve që merren me këtë temë, por mos lejoni të përsëritet kjo njëherë tjetër”, ka shtuar Haradinaj. /Lajmi.net/Portali Alarm/