Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur sot para seancës së Kuvendit në lidhje me ligjin për Gjykatën Speciale.

Ajo ka thënë se LDK nuk është pro iniciativave që nuk arrijnë asgjë në mbrojtje të së vërtetës historike të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare por sipas saj krijojnë pritje të rrejshme.

“Në vend se e gjithë energjia e shtetit të fokusohet deri tani në mbrojtjen e kësaj të vërtete historike ndërkombëtarisht, në e shohim se edhe pse kanë kaluar 2 muaj nga vendimi, nuk e kemi asnjë intervistë në media të rëndësishme ndërkombëtare ku para syve të botës do të mbrohej e vërteta historike e Kosovës. Ne nuk kemi asnjë prezentim, nga krerët shtetërorë apo përfaqësues të partive politike, sepse unë kam folur për këtë, por në vend se shteti të fokusohet në mbrojtje të kësaj të vërtete, ne kemi iniciativa që nuk janë në përputhje me kushtetutën, obligimet ndërkombëtare të Kosovës por e dëmtojnë kauzën e mbrojtjes së të vërtetës para procedurës në Apel dhe krerët e UÇK-së që duhet të mbrohen në Apel me argumente juridike. LDK të gjitha këto qëndrime i ka dhënë përmes qëndrimeve parimore, për çka janë njollosur tejmase, duke i vendosur emrat tanë para atyre të Serbisë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se do ta mbrojnë të vërtetën historike të Kosovës, luftën e UÇK-së por njëkohësisht ka thënë se nuk i kërkojnë leje askujt ta mbrojnë dinjitetin e njerëzve të LDK-së dhe familjeve të veprimtarëve të LDK-së që sipas saj janë vrarë, torturuar dhe janë etiketuar si bashkëpunëtorë vetëm që i kanë qëndruar besnik presidentit tonë historik.

“Prandaj për ta mbrojtur këtë të vërtetë dhe të vërtetën e UÇK-së, mendojmë se këto nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën por këto janë komplementare siç ka qenë binomi presidenti historik Ibrahim Rugova dhe kryekomandanti Adem Jashari”, ka shtuar Osmani. /Lajmi.net/Portali Alarm/