Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ka takuar kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Rob Bauer, të cilin e ka falënderuar për vizitën në Shqipëri në këtë kohë sfidash për paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, transmeton InLajmi.
Begaj ka theksuar se Shqipëria mbetet e angazhuar në misione dhe operacione të NATO-s.
Gjithashtu ai njoftoi se Shqipëria ka rritur kontributet për vitin 2023 në KFOR.
Postimi i plotë i tij:
Prita sot kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Rob Bauer. Falenderova Admiralin Bauer për vizitën në Shqipëri në këtë kohë sfidash për paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, si pasojë e agresionit të paligjshëm të Rusisë ndaj Ukrainës.
Vlerësova Admiral Bauer për drejtimin me vizion dhe përkushtim të Komitetit Ushtarak dhe kontributin që Komiteti Ushtarak jep në drejtim të përshtatjes dhe forcimit të kapaciteteve dhe kohezionit të aleancës.
Shqipëria mbetet e angazhuar në misione dhe operacione të NATO-s, ka rritur kontributet për vitin 2023 në KFOR, dhe është e gatshme për rritjen e tyre nëse do të jetë e nevojshme. Shqipëria qëndron në krah dhe do vijojë të mbështesë Ukrainën. /InLajmi/