Çfarë duhet të dini për Zohran Mamdani dhe çfarë dëshiron të bëjë si kryebashkiak i qytetit të New York-it?
Është bërë zyrtare: qyteti më i madh në SHBA ka kryebashkiakun e tij të parë mysliman dhe të parë me origjinë nga Azia Jugore.
Që nga momenti kur socialisti democrat, Zohran Mamdani hyri në garën për kryebashkiak të qytetit të New York-ut, 34-vjeçari, asamblist shtetëror nga Queens, është ngritur nga anonimiteti pothuajse i plotë në qendër të vëmendjes kombëtare.
Platforma e tij e guximshme, e majtë, ka gjallëruar progresistët, e ka fuqizuar Partinë Demokratike, me ç’rast edhe ka nxitur kritika të ashpra nga presidenti Donald Trump dhe republikanë të tjerë.
“Sot kemi folur me një zë të qartë: Shpresa është gjallë”, u tha Mamdani mbështetësve pas fitores në garë.
Ndryshe nga kundërshtarët e tij më të konsoliduar, perspektiva e re, mosha e re dhe platforma e majtë e Mamdanit, emocionuan dhe në fund fituan zemrat e votuesve që kërkonin një politikan më të freskët, shkruan BBC.
· Lindja në Ugandë dhe besimi mysliman
I lindur në Ugandë me prindër me origjinë indiane, Mamdani u zhvendos në New York me familjen e tij në moshën 7-vjeçare. Ai ndoqi shkollën “Gjimnazi i Shkencave në Bronx” dhe më pas mori një diplomë në Studime Afrikane në Kolegjin Bowdoin, ku bashkëthemeloi degën e organizatës “Studentët për Drejtësi në Palestinë”.
Me një identitet kompleks, indian, afrikan, amerikan, ai është përballur me akuza se ka manipuluar politikën e identitetit, kur në aplikimin e tij të vitit 2009 për Universitetin Columbia identifikoi racën e tij si “aziatik” dhe “i zi ose afrikan-amerikan”.
Ai u përgjigj ndaj akuzave duke thënë se po përpiqej të pasqyronte “plotësinë e origjinës së tij” brenda kutive “të kufizuara” të formularit. Gjatë fushatës, progresisti milenial e theksoi fort lidhjen e tij me rrënjët në një qytet të larmishëm.
Ai e bëri gjithashtu besimin e tij mysliman pjesë të dukshme të fushatës. Vizitonte shpesh xhamitë dhe publikoi një video fushate në gjuhën urdu për krizën e kostos së jetesës në qytet.
“E dimë se të qëndrosh publikisht si mysliman do të thotë gjithashtu të sakrifikosh sigurinë që nganjëherë mund ta gjejmë në hije,” tha ai në një tubim.
Mamdani dhe bashkëshortja e tij, 27-vjeçarja Rama Duwaji, një artiste siriane me bazë në Brooklyn, u njohën përmes aplikacionit të takimeve Hinge. Nëna e tij, Mira Nair, është një regjisore e njohur filmash dhe babai i tij, profesori Mahmood Mamdani, jep mësim në Universitetin Columbia. Të dy prindërit janë diplomuar në Universitetin Harvard. Përpara se të hynte në politikë, ai punoi si këshilltar për strehimin, duke ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta në Queens të shmangnin dëbimin nga shtëpitë.
Ashtu si kundërshtarët e tij, fushata e Mamdanit përqendrohej shumë në bërjen e qytetit më të sigurt dhe më të përballueshëm. Por ai shtyu përpara mënyra më radikale për të arritur këto qëllime, disa prej të cilave do të jenë terren i pashkelur për qytetin e Nju Jorkut, shkruan BBC, transmeton Portali Alarm.
– Lidhja me votuesit e rinj
Një pjesë e suksesit të Mamdanit në fushatë ishte perceptimi i votuesve të rinj se ai ishte autentik në rrjetet sociale, thotë profesoresha e komunikimit në Universitetin Amerikan, Jane Hall.
“Nuk ke pse të jesh i ri për ta bërë këtë, por duhet të perceptohesh si autentik dhe të flasësh për atë që njerëzit kujdesen në një mënyrë që është e rëndësishme dhe që i bën të duan të jenë pjesë e lëvizjes”, tha profesoresha Hall.
Kritikët e Mamdanit kanë argumentuar se ai nuk ka mjaftueshëm përvojë për të drejtuar qytetin më të madh të SHBA-së në mënyrë efektive.
Trump ka tentuar ta paraqesë atë si radikal, duke e quajtur vazhdimisht komunist, megjithëse Mamdani e ka mohuar shpesh këtë etiketim. Presidenti gjithashtu ka kërcënuar se do të ndalojë fondet federale për administratën e Mamdanit.
Pas fitores në garën për kryebashkiak, Mamdani iu drejtua drejtpërdrejt presidentit:
“Donald Trump, meqë e di që po më ndjek, kam katër fjalë për ty: ngrije volumin. Që të arrish tek ndonjëri prej nesh, duhet të kalosh përmes të gjithë neve”, theksoi ai.
Trump postoi menjëherë në rrjetet sociale: “…DHE KËSHTU FILLON!”
Andres Bernal, ish-këshilltar politik i përfaqësueses së NewYork-ut, Alexandria Ocasio-Cortez, thotë se demokratët mund të mësojnë nga aftësia e Mamdanit për t’u lidhur me njerëzit.
“Republikanët e sotëm formësojnë diskursin publik dhe përpiqen të formësojnë vetëdijen politike në këtë vend,” argumentoi Bernal. “Ndërsa demokratët thjesht supozojnë se njerëzit kanë bindje të fiksuara dhe shikojnë sondazhet për të parë si t’i përshtatin fjalët me atë që mendojnë se njerëzit besojnë”, potencoi ai.
· Plani për ngrirjen e qirave
Kostoja e lartë e banesave është një nga ankesat më të zakonshme të banorëve për jetesën në “qytetin që nuk fle kurrë”.
Qiraja mesatare për një apartament me një dhomë gjumi në Manhattan në nëntor 2025 është 4,778 dollarë (3,666 £), një rritje gati 20% krahasuar me tre vjet më parë, sipas faqes së listimeve RentHop. Ndërsa në Brooklyn, qiraja mesatare për një apartament me një dhomë gjumi është 3,625 dollarë, rreth 5% më shumë.
Një nga pikat më të diskutuara të planit të banesave të Mamdanit është ngrirja e qirasë për katër vjet për një milion apartamente të stabilizuara në qytet.
“Ky është një qytet ku një në katër njerëz jetojnë në varfëri, një qytet ku 500,000 fëmijë flenë të uritur çdo natë,” i tha Mamdani BBC-së gjatë verës. “Dhe në fund, është një qytet që rrezikon të humbasë atë që e bën kaq të veçantë”, theksoi ai, transmeton Portali Alarm.
Por studiues nga “Partnerët Maverick të Pasurive të Paluajtshme” argumentojnë se ngrirja katërvjeçare e qirave do të ishte “katastrofike” për shumë pronarë ndërtesash, duke ulur në mënyrë të përhershme të ardhurat neto operative.
Mamdani zhvilloi një fushatë për ta bërë qytetin më të shtrenjtë në SHBA më të përballueshëm për banorët e tij, përtej vetëm banesave.
Një nga idetë e tij më të veçanta është krijimi i një rrjeti dyqanesh ushqimore në pronësi të bashkisë në 5 lagjet e Nju Jorkut, duke zgjeruar 6 dyqanet ekzistuese të tilla. Blerjet në këto dyqane do të ishin më të lira për klientët.
Por, kritikët argumentojnë se propozimi i Mamdanit injoron realitetet komplekse të zinxhirit të furnizimit ushqimor.
Ai gjithashtu dëshiron që autobusët publikë të jenë falas, tarifa aktuale për shumicën e pasagjerëve është 2.90 dollarë, dhe planifikon t’i bëjë ata më të shpejtë. Ndërsa Mamdani ka vlerësuar se plani i tij do t’i kushtonte qytetit 630 milionë dollarë në vit, kryetari i MTA-së i tha faqes “Gothamist” se kostoja do të ishte më afër 1 miliard dollarëve.
Në axhendën e tij është gjithashtu ulja e kostos së kujdesit për fëmijët, duke cituar përvojat e miqve që i kanë thënë se po largohen nga qyteti për shkak të çmimeve të larta. Për të ndihmuar në financimin e planeve të tij, Mamdani dëshiron të rrisë normën e taksës për korporatat në 11.5%, duke e barazuar me kufirin më të lartë të New Jersey. Aktualisht, norma e taksës për korporatat në qytetin e Nju Jorkut arrin deri në 7.25%, shkruan BBC, transmeton Portali Alarm.
Ai gjithashtu dëshiron të shtojë një taksë fikse prej 2% për banorët që fitojnë më shumë se 1 milion dollarë në vit. Fushata tha se këto rritje do të sillnin 9 miliardë dollarë, por mënyra se si do të mblidheshin ende mbetet e paqartë. Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, gjithashtu ka deklaruar se nuk do ta mbështesë planin e kryebashkiakut të ri për të rritur taksat për të pasurit.
Mamdani dëshiron të rrisë pagën minimale të qytetit – aktualisht 16.50 dollarë në orë – në 30 dollarë në orë deri në vitin 2030.
Por kritikët kanë argumentuar se kjo do të linte shumë punëtorë me aftësi të ulëta pa punë dhe do t’i detyronte të largoheshin nga qyteti. Cilësia e jetës është një shqetësim tjetër madhor për banorët e Nju Jorkut: vetëm 34% e tyre e vlerësuan cilësinë e jetës në qytet si “të shkëlqyer” ose “të mirë” në vitin 2025, nga 51% që ishte në vitin 2017, sipas një sondazhi te “Komisioni i Buxhetit të Qytetarëve”.
Një element kryesor i platformës së Mamdanit është krijimi i një “Departamenti të Sigurisë Komunitare”, i cili do të zgjerojë shërbimet e shëndetit mendor në qytet, duke ndërtuar një sistem që punonjësit e shëndetit mendor t’i përgjigjen telefonatave 911 që lidhen me këto raste, në vend të policisë. Kundërshtari republikan i Mamdanit, Curtis Sliwa, e kritikoi planin, duke thënë se është jorealist dhe i pasigurt që punonjësit socialë t’i përgjigjen situatave potencialisht të dhunshme.
– Qëndrimet për luftën Izrael-Gaza
Mbështetja e fortë e Mamdanit për palestinezët dhe kritikat e tij të ashpra ndaj Izraelit shkojnë shumë më tej se ato të pjesës më të madhe të establishmentit demokrat.
Si asamblist, ai prezantoi një projektligj për t’i hequr statusin e përjashtimit nga taksat bamirësive në New York që kanë lidhje me vendbanimet izraelite që shkelin ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Ai ka thënë se beson që Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, është një shtet aparteid dhe se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, duhet të arrestohet. Izraeli e mohon me forcë akuzën për gjenocid dhe aparteid.
Mamdanit i është kërkuar disa herë nga mediat të shprehet nëse e mbështet të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si shtet hebre. Ai u përgjigj: “Nuk ndihem rehat të mbështes asnjë shtet që ka një hierarki shtetësie në bazë të fesë apo çfarëdo tjetër; mendoj se, ashtu si në këtë vend, barazia duhet të jetë e garantuar në çdo shtet të botë”.
Mamdanit ka thënë gjithashtu se nuk ka vend për antisemitizëm në qytetin e New York, duke shtuar se, nëse do të zgjidhej, do të rriste fondet për luftimin e krimeve të urrejtjes./PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































