Ramush Haradinaj: Presidentja nuk ka mandat të mandatojë askënd pa dëshmuar shumicën
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar situatën politike në vend, duke theksuar se afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër.
Sipas tij, presidentja nuk ka mandat të mandatojë askënd pa dëshmuar shumicën e nevojshme, shkruan Portali Alarm.
Ai ka shtuar se shumica e nevojshme për të bërë qeverinë dëshmohet me nënshkrime të deponuara, dhe se, situata të tjera përbëjnë shkelje kushtetuese.
Postimi i plotë i tij:
“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.
Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike.
Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”./Portali Alarm/

Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































