Lushaku: Duhet të kërkohet garanci me shkrim për njohjen nga 5-shja e BE-së

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se njohja nga 5 shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian duhet të jetë njëra prej kërkesave bazike të Qeverisë.

Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK-së vlerëson se ecuria e integrimeve evropiane është e lidhur shumë ngushtë me çështjen e njohjes nga kjo pesëshe.

“Është tepër e rëndësishme që ne të marrim garanca për çfarëdo marrëveshje që e arrijmë. Është tepër e rëndësishme që rrugëtimi jonë drejt NATO-s të kurorëzohet sa më shpejt që është e mundur. Po mos të harrojmë që janë 5 shtete që s’e kanë njohur Kosovën. Prandaj shtetet mosnjohëse mund të na pengojnë në procese të caktuara. Njohja e 5 shteteve duhet të jetë njëra nga kërkesat tona bazike por në anën tjetër është shumë e rëndësishme se në çfarë mënyre do të garantohet që do të na njohin”, ka thënë ajo në Respublika në Tëvë 1

Duke diskutuar mundësia që njohja nga këto shtete të vije përmes marrëveshjes finale, Lushaku ka thënë se duhet të ketë siguri me shkrim për një çështje të tillë

“Duhet të jetë shumë mirë e siguruar që kjo do të ndodhë. Në BE jemi mësuar të shohim shpeshherë shumë dinamika të brendshme të shteteve, të zhvillimeve të tyre të brendshme, të partive të tyre politike që i kanë përdoruar shpeshherë edhe elemente të tilla si mosnjohja e Kosovës për politika të tyre të brendshme. Prandaj, nuk e di se me çfarë do të garantohet që kjo të ndodhë. Do të ishte tepër mirë që kjo të ndodhte, do të ishte një kërkesë e domosdoshme që Kosova duhet ta bëjë dhe poqëse ndodh do të ishte shumë mirë, por duhet të kemi siguri me shkrim për të tilla raste”, ka deklaruar Lushaku.

“Edhe për Marrëveshjen e Asociacionit Qeveria e LDK-së ka kërkuar me shkrim që të na garantohet se Asociacioni nuk do të ketë elemente ekzekutive. Dhe kjo është e rëndësishme që këso lloj garancish të marrim prapë për procese të ndryshme”.

Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro janë pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë