Zona malore në veri të Shqipërisë vazhdon të ketë ritme të ulëta zhvillimi krahasuar me pjesën tjetër të vendit. Megjithëse me burime të shumta në fushën e energjetikës, pyjeve, mineraleve dhe vlerave turistike, kjo zonë vlerësohet si ndër më të varfrat në Shqipëri.
Komunitetet lokale nuk arrijnë të përfitojnë thuajse asgjë nga shfrytëzimi që i bëhet pasurive natyrore që gjenden në territorin e bashkive të tyre. Kështu, në bashkinë Vau Dejës, që përfshihet në Qarkun e Shkodrës, gjenden një numër hidrocentralesh që mbulojnë me energji elektrike një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë, e megjithatë, nga shfrytëzimi i kësaj pasurie ujore, komuniteti i kësaj zone nuk përfiton thuajse asgjë.
“Bashkia Vau Dejës është një pikë e rëndësishme në prodhimin e energjisë elektrike, sepse nuk kemi vetëm 2 hidrocentrale, por kemi Komanin, Vaun e Dejës, kemi Ashtën 1 dhe Ashtën 2. Gjithashtu edhe 2 hidrocentrale të vogla që po bëhen në zonën e Vig-Mnelës. Të them të drejtën, të ardhurat prej hidrocentraleve janë të vogla, po të thuash nuk ndikojnë absolutisht në ekonominë e bashkisë Vau Dejës”, thotë kryetari i kësaj bashkie Mark Babani.
Sipas Institutit të Statistikave, Qarqet Kukës dhe Dibër kanë normat më të larta të varfërisë në Shqipëri. Për shkak të kësaj situate, mbështeten me ndihmë ekonomike 18 mijë e 88 familje të varfëra. Ndërkohë, Qarqet Dibër dhe Kukës vazhdojnë të kenë nivel të lartë të migracionit të brendshëm. Vetëm gjatë vitit 2021 nga të 2 këto qarqe u larguan 5487 persona. Qarku i Kukësit, ku përfshihen bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, është një nga zonat më të pasura me minerale dhe burime ujore, që shfrytëzohen nga kompani private, por, prej tyre, komunitetet lokale vazhdojnë të mos përfitojnë asgjë.