Reperi del nga VV për shkak të marshit të Kurtit në Paradën e Krenarisë

Prezenca e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Paradën e Krenarisë përgjatë së shtunës ka zemëruar disa nga përkrahësit e tij.

I zemëruar është ndarë edhe reperi Luan Zeqiri, i njohur me nofkën “Mad Lion”, shkruan Insajderi.

Ai ka prerë në gjysmë me gërshërë kartën e anëtarësisë në Lëvizjen Vetëvendosje. Pamjet i ka publikuar në llogarinë e rrjetit social të tij në ‘TikTok’, teksa ka përdorur fjalë ofenduese për komunitetin LGBTI.

“Prej ditës që kanë dalë edhe i kanë përkrahë ata p*derat dhe l*zbejkat, unë nuk do të jem pjesë e kësaj partie”, ka thënë ai në videon ku incizohet duke prerë kartën e anëtarësisë.

Anëtarësimi i “Mad Lion” më 2019-ën në Lëvizjen Vetëvendosje është parë si lëvizje e “bujshme” nga ky subjekt politik. VV-ja pati lëshuar njoftim për bashkimin e reperit me VV-në, teksa ndau foto me Kurtin dhe aktivistin Egzon Azemi.

“Lëvizjes sot i’u bashkua edhe një anëtar i ri, Luan Zeqiri, i njohur me emrin artistik “Mad Lion”. Mirëseardhje i uruan kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe anëtari i Kryesisë së Qendrës së Prishtinës, Egzon Azemi”, thuhej në postimin e VV-së në Facebook.

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë