250 kamera të trupit për policët e Kosovës, Hoxha: Do të rrisin llogaridhënien dhe transparencën

Sot është bërë pranimi i donacionit për kamerat e trupit të Policisë së Kosovës, i cili është projekt i përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Gazmend Hoxha, drejtor i Policisë së Kosovës falënderoi Ambasadën Amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme, gjersa bëri të ditur se si donacion kanë marr 250 kamera të trupit.

“Ne si Polici mundohem t’i kryejmë detyrat me nder dhe respekt, bazuar në ligjin dhe standardet më të larta demokratike…”, tha ai.

Drejtori Hoxha tha se 250 kamerat e trupit për Policinë e Kosovës do të jenë të dobishme, si dhe do të rrisin llogaridhënien dhe transparencën e punës.

“Kjo do të ndikojë edhe në rritjen e besimit te qytetarët”, tha ai.

Drejtori i Policisë theksoi më tej se këto kamera do të përdoren nga njësitet e trafikut dhe nga njësitet e policisë kufitare.

“Një pjesë e tyre do të shpërndahen edhe në veri të Kosovës…”, tha ai.

Ndërkaq, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha se këto kamera të trupit janë një resurs i ri që ka rëndësi jetike për zbatimin e ligjit.

Ambasadori theksoi se kamerat e trupit do të rrisin besimin e publikut në polici, do të ofrojnë dëshmi të paanshme të ndërveprimeve ndërmjet policisë dhe komuniteteve dhe do të përmirësojnë ndjeshëm llogaridhënien. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë