Rruga Podujevë-Prishtinë me material ilegal, bllokohen ekskavatorët e kompanisë

Para disa javësh kryeministri Albin Kurti inauguroi punimet për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë.

Për zgjerimin e kësaj rruge u tha se janë zgjedhur kompanitë më të mira dhe më konkurrente, e puna u mbikëqyr nga kryeministri edhe gjatë natës. Ai premtoi cilësi.

Mirëpo një inspektim i kryer më 14 gusht 2023 nga inspektorët e Komisionit të Pavarur për Minierat dhe Mineralet nxori në pah probleme serioze.

Njëra nga kompanitë fituese është zënë duke eksploatuar kundërligjshëm. Makineritë e saj u hasën nga Inspektorati i Minierave duke marrë materiale në zonë të ndaluar.

Mediumi ka qenë në vendin e ngjarjes, ku janë hasur ekskavatorë dhe kamionë të kompanisë që po punonin aty.

Materialet sipas KPMM-së janë duke u nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pra në mënyrë ilegale e pa licencë.

Zëvendëskryeinsektori i KPMM-së, Naim Sejdiu, në një prononcim për Kallxo tha se sot në një ditë të punës së tyre rutinë, kanë dalë në Komunën e Podujevës dhe gjatë inspektimeve kanë hasur në këtë operator, që sipas tij është ilegal.

“Këta saktësisht janë duke marrë resurs mineral, duke e vendosur në trase të rrugës, e cila ka kalu përmes prokurimit, përmes projekteve dhe konstatojmë se materiali është ilegal, pa licencë” – thotë Sejdiu.

Ai tutje thotë se me të hasur në këtë operator dhe në veprimet e jashtëligjshme kanë filluar me procedurat e nevojshme.

“Kemi bërë lajmërimin e veprës penale në Polici, kemi bërë urdhëresën, tash presim me ardhë hetuesit, prokurori edhe me u marrë me rastin. Është mirë ta konstatoj se materiali resurs është duke u marrë në mënyrë ilegale, duke u vendosur në projekte legale” – tha zv.kryeinspektori.

Sejdiu u pyet nëse materiali në fjalë do duhej të kontrollohej para se të kalonte në rrugë, e ai tha se diçka e tillë do duhej të ndodhte.

“Po normal që ish dashtë me u kontrollu, fillimisht projekt menaxheri i ndërmarrjes, i rrugës. Ky material unë nuk mundem me thanë aspak që i plotëson kriteret apo s’i plotëson standardet me e qitë në rrugë për arsye se është i palicencuar, kështu që organi mbikëqyrës e ka këtë detyrë, edhe Ministria e Infrastrukturës duhet me e mbikëqyrë rrugën, çfarë materiali po qitet në rrugë, a është me licencë apo pa licencë” – tha Sejdiu.

“Materiali për momentin ky çka është këtu është pa licencë, është, do të thotë, ilegal. Sikur me e bë një vepër hajnie ta zëmë në ndonjë market apo diçka a me paralajmëru atë a? Ky është aktivitet ilegal, është shpallur ilegal edhe duhet të merren masa deri në fund” – vazhdoi tutje ai.


Zëvendëskryeinspektori tregoi edhe për veprimet që duhet të merren tash e tutje.

“Gjoba merret, tash është bërë raporti në vendin e ngjarjes, përgatitet raporti final, janë marrë koordinatat, shërbimi gjeodezik e bën matjen e masës së shfrytëzuar të resursit mineral, përgatitet raporti financiar, brenda pesë ditëve ne e dërgojmë në stacion policor në Podujevë, ku janë të obliguar hetuesit dhe prokurori me vazhdu më tutje” – tha Sejdiu.

Ai tutje shtoi se problem tjetër është që në projekte po përmendet edhe termi “material rrethanor”. E që sipas tij ky term po lejon mundësin e keqpërdorimit.

“Projektet që po kalojnë përmes procedurave të prokurimit unë nuk e di se ndërmarrja mu ma tha se në projekt unë e kam me marrë material rrethanor. Unë mendoj që kjo fjalë duhet me u heqë nga projekti. Material rrethanor ka kuptimin e gjerë, do të thotë po ia jep mundësinë shko merr ku të duash material, duhet me u heqë termi ‘material rrethanor’, kjo është mundësi e keqpërdorimit, kurrgjë tjetër” – shprehet Sejdiu.

Mediumi në vazhdimësi ka raportuar për problemet që ka projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, përfshirë kompanitë që kanë përfituar tenderë janë eksploatuse.

Ministri i infrastrukturës Liburn Aliu u pyet për këtë temë në konferencë për shtyp, por ai nuk dha përgjigje nëse tenderët do ndërpriten./Kallxo/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë