Grupi paramilitar Wagner ndoshta nuk merr më financime nga shteti rus. Kështu supozon Shërbimi Sekret britanik. Për mercenarët kjo do të thotë: kursime në shpenzimet e personelit.
Sipas burimeve britanike grupi Wagner duket se nuk do të financohet më nga shteti rus dhe prandaj do t’i duhet të zvogëlohet.
“Qëllimi me sa duket është të kursehen para në shpenzimet për personelin”, tha Ministria e Mbrojtjes në Londër, duke iu referuar buletinit ditor të Shërbimit Sekret Ushtarak.
Ekziston një “mundësi realiste” që zyra e presidentit Vladimir Putin në Moskë të mos i financojë më mercenarët e grupit Wagner.
“Nëse shteti rus ndalon së paguari grupin Wagner, burimi i dytë më i besueshëm i pagave janë autoritetet bjelloruse”, thuhet në njoftim.
Por kjo do të rëndonte burimet e Bjellorusisë. Mercenarët e grupit Wagner aktualisht po trajnojnë atje ushtarë bjellorusë.
Shefi i grupit Wagner akuzon Shoigunin për paaftësi
Mercenarët e grupit Wagner ishin për një kohë të gjatë shtyllë e ushtrisë së rregullt ruse në luftën kundër Ukrainës.
Por shefi i mercenarëve Wagner, Yevgeny Prigozhin i ka kritikuar masivisht dhe publikisht udhëheqjen ushtarake ruse dhe ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu duke i akuzuar ata për paaftësi.
Në fund të qershorit Prigozhini urdhëroi fillimin e një rrebelimi kundër udhëheqësve ushtarakë rusë dhe një marshim drejt Moskës. Pas dy ditësh rebelimi u ndërpre.
Mercenarët Wagnerit në Mali, Siri dhe Libi
Sipas presidentit bjellorus Aleksandar Lukashenko, ai ndërmjetësoi midis Prigozhinit dhe Putinit.
Pas kësaj Prigozhini shkoi përkohësisht në mërgim në Bjellorusi.
Është e paqartë se ku po qëndron ai aktualisht. Me kërkesë të qeverisë në Minsk njësitë e mercenarëve të tij, Wagner po trajnojnë ushtarë bjellorusë në një kamp ushtarak afër kufirit me Poloninë. /Deutsche Welle/