Vasfije Krasniqi u kërkon reflektim institucioneve: Shumë grave të përdhunuara në luftë iu refuzua statusi

Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale në luftën e fundit dhe ish-deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar reflektim të institucioneve pasi Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, ka rifilluar procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.


Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti e Këshilli Gjyqësor që të angazhohen që rastet e refuzuara të shqyrtohen.

”Komisioni Qeveritar/NJVSPDHLÇK ka rifilluar procesin e aplikimit për njohje të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Personalisht kam takuar qindra viktima, shumë prej të cilave u është refuzuar paarsyeshëm statusi”.

“Si viktimë, që kam kaluar gjithashtu nëpër një proces të mundimshëm verifikimi kërkoj nga Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të angazhohen që rastet e refuzuara të shqyrtohen, dhe të mbijetuarave që me vite po presin vendimet e gjykatave t’u njihet statusi. Është humbur shumë kohë dhe shumë viktima kanë vdekur në errësirën e traumës së tyre, Ju lutem mos lejoni që kjo të ndodhë edhe me të tjerat. Vjosa Osmani Albin Kurti”, ka shkruar Krasniqi./Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë