Kenia ka shprehur gatishmërinë e saj për të njohur Kosovën.
Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm i Kenisë, Alfred Mutua gjatë një konference për shtyp në Nairobi, duke konfirmuar se po zhvillohen diskutime që Kenia ta njohë plotësisht pavarësinë e Kosovës.
Siç shkruan “Kenyan Foreing Policy” , ky njoftim vjen pas takimit të presidentit William Ruto me lideren kosovare Vjosa Osmani gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA) në New York.
Tutje siç shkruan ky medium Kenia ka lëvizur drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës, ku ka njohur zyrtarisht pasaportat kosovare në mars të këtij viti.
Ministri Mutua konfirmoi vizitën e ardhshme të Osmanit për të diskutuar për njohjen.
Telegrafi merr vesh se pala kosovare dhe ajo e Kenias janë duke u dakorduar për caktimin e datës së kësaj vizite ku edhe pritet që të zyrtarizohet njohja nga ky shtet.
Presidentja Vjosa Osmani më 18 shtator, gjatë pjesëmarrjes së saj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kishte takuar presidentin e Kenias, William Ruto.
Osmani kishte njoftuar në platformën “X” se kishin diskutuar për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
“E kënaqur që takova Presidentin e Kenias, William Ruto dhe të diskutojmë se si të përmirësojmë më tej marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve tona. Mezi presim hapat e ardhshëm që do t’i afrojnë vendet dhe popujt tanë”, kishte shkruar Osmani.
Gjatë qëndrimit në New York, presidenti Ruto ka takuar edhe ish-presidentin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli. Sipas Pacollit, presidenti Ruto luajti një rol të rëndësishëm duke e ndihmuar atë të ketë qasje në delegacione të nivelit të lartë dhe krerët e shteteve nga vende të ndryshme.
Kjo qasje ishte e rëndësishme në përpjekjet e Pacollit për të fituar njohjen ndërkombëtare për Kosovën.
Ndryshe, Kenia është shtetet në Afrikën Lindore, me kryeqytet Nairobin dhe me numër të popullsisë mbi 55 milionë. /Shkruan Telegrafi/