Policia e Kosovës njoftoi të premten se Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas veprimeve hetimore ka arritur të sigurojnë informata dhe prova për mallra/produkte pa banderola që dyshohet se gjenden në një lokacion/shtëpi.
Sipas njoftimit, në shtëpinë dhe barnatoren e të dyshuarit me inicialet SH.I., e cila gjendet afër me një barnatore, një ditë më parë është bërë inspektim/kontroll ku është hasur një sasi barnash (lloje të ndryshme) pa banderola të Republikës së Kosovës.
Të njëjtat dyshohet se kanë hyrë në formë të kontrabanduar, andaj janë evidentuar në procesverbalet e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë konfiskuar në bazë të procedurave të tyre të punës.
“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari Sh .I., (1985), mashkull kosovar, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ nga neni 260 i KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media.
I dyshuari i lartcekur në cilësi të personit të dyshuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe njëkohësisht është bërë edhe verifikimi i së kaluarës kriminale për të dyshuarin, ku rezulton se i njëjti në muajin mars 2023 kishte qenë i përfshirë në një rast të njëjtë, për vepër të njëjtë penale.
“Me vendim të prokuror kujdestar, personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, përfundon njoftimi. /Shkruan Telegrafi/