Joseph: Kurti dhe Vuçiq përfitojnë nga kriza në veri

Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se nuk ka pritje të mëdha nga takimi i kësaj jave mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – i pari pas më shumë se katër muajsh.

Sipas tij, do të ishte “befasi e këndshme” nëse do të kishte ndonjë përparim.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Joseph thotë se Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, duhet t’i kujtojë të dyja vendet se kanë një marrëveshje për të zbatuar.

Për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, ai thotë se të gjitha palët duhet t’i luajnë rolet e veta.

Por, thotë Joseph, kriza i përshtatet si Vuçiqit, ashtu edhe Kurtit.

“Vuçiq përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën]… Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit [të situatës në veri], dhe jo te çështja e Asociacionit…”, thotë Joseph.

Sipas tij, Vuçiq nuk është partner i SHBA-së, por edhe Kurti “ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe i papërgjegjshëm në qasjen e tij ndaj veriut” dhe “kjo nuk është në përputhje me të qenët partner i mirë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin”. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë