Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për pezullimin e zbatimit të nenit 5 të Ligjit për Tatimin në Pronë, për faljen e 100 eurove, ku zbatimi i këtij neni është shtyrë deri më 30 nëntor 2023.
Pas këtij njoftimi, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) dhe opozita e kanë mirëpritur këtë vendim të Kushtetueses, ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se prapa vendimit qëndron, siç e ka quajtur ai, garda e vjetër, shkruan Telegrafi.
Ditë më parë, Komuna e Prizrenit e kishte dërguar në Kushtetuese këtë ligj, për ta komentuar ligjshmërinë e këtij tij.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur që (i) kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e lartcekur të miratohet në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe për pasojë (ii) të pezullohet menjëherë zbatimi i nenit 5 të Ligjit 08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimi i vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni deri në afatin e lartcekur”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Sipas drejtorit ekzekutiv të AKK-së, Sazan Ibrahimi vendimi është në dobi të komunave dhe se zbatimi i këtij ligji do ta shkurtonte buxhetin e tyre.
“E mirëpresim një vendim të tillë, pasi është në dobi të komunave të Kosovës, ne po shpresojmë që edhe vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese do të jetë ashtu siç komunat mendojnë.
Sepse me zbatimin e një ligji të tillë, buxheti i komunave do të shkurtohej mbi rreth 30 milionë euro, dhe kjo shkon në dëm të qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse do të kemi shkurtime të 30 milionë eurove në investime kapitale”, ka thënë Ibrahimi për Telegrafin.
Ai ka shtuar se ka qenë i bindur se Gjykata Kushtetuese do të vendoste në favor të AKK-së.
“Ne e mirëpresim, vendimin dhe kemi qenë të bindur që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në bazë të kërkesës e cila është dërguar nga Komuna e Prizrenit, por me autorizim të bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës”, ka shtuar ai.
Për avokatin e Komunës së Prizrenit në Gjykatën Kushtetuese, Faton Fetahu vendimi i këtij institucioni ka qenë i pritshëm.
Avokati Fetahu përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se “mashtrimi nuk kalon”.
“Ashtu edhe siç pritej, [sot] Gjykata Kushtetuese kumtoi vendimin e saj për miratimin e kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dispozitës ligjore lidhur me faljen e tatimit në pronë, e cila brenda vetes fshihte mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimin ua la në barrë komunave. Prandaj, jam i gëzuar që si Përfaqësues i Autorizuar i Komunës së Prizrenit, hartova dhe ndërtova rastin pranë kësaj gjykate si dhe kërkesën për masë të përkohshme që sot u miratua”, ka shkruar Fetahu.
Ndërsa, ministri Murati në reagimin e tij thotë se pas gjithë kësaj fshihet garda e vjetër.
“Po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata ‘do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese’”, thuhet në reagimin e Muratit.
Ligji për Tatimi në Pronë ka hyrë në fuqi më 14 gusht.
Më herët gjatë këtij viti, Murati kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatim-paguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatimpaguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.
Tatimi në Pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Kjo normë është 0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës.
Vendimi për faljen e tatimit në pronë pasoi rritjen e këtij tatimi në vitin 2023. Rritja u shkaktua pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve të banuara që bëri Ministria e Financave vitin e kaluar.
Nga Tatimi në Pronë, Buxheti i Kosovës ka të hyra vjetore deri në 40 milionë euro. /Shkruan Telegrafi/