Dy persona (burrë e gru) kanë marrë lëndime trupore të martën si pasojë e shpërthimit të sistemit të ngrohjes me gaz në një shtëpi të një fshati në Lipjan.
Mirëpo, nga shpërthimi lëndime më të mëdha mori gruaja, gjendja e së cilës është më e rënduar.
Kështu tha në një prononcim për Telegrafin mjeku kujdestar nga Kirurgjia Plastike në QKUK, Korab Berisha.
Ai tha se pacientja ka pësuar djegie në 85 për qind të sipërfaqes trupore, ndërsa e burrit është mesatarisht e rëndë, pasi ka 25 për qind të sipërfaqes së djegur.
“Gjendja e pacientes (gruas) është e rëndë shumë, 85 për qind të sipërfaqes trupore, ndërsa e burrit është mesatarisht e rëndë me 25 për qind të sipërfaqes së djegur. Të dy pacientët janë në mjekimin intensiv”, tha Berisha.
Ndërkaq, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 07:40, në Lipjan.
Tutje thuhet se të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor.
“Raportohet se në rrethana deri më tani të pa njohura në shtëpinë e viktimës në një fshat në Lipjan kishte shpërthyer sistemi me gaz i ngrohjes. Si pasoj e shpërthimit lëndime trupore kanë pësuar dy viktimat kosovarë (bashkëshort), të cilët janë dërguar për tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Gjithashtu në raport bëhet e ditur se njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit kanë dal në vendin e ngjarjes.
“Një i dyshuar mashkull kosovar është shoqëruar në polici dhe i njëjti pas intervistimit me rekomandim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente”, thuhet në raport. /Shkruan Telegrafi/