Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin tragjik që ndodhi ditën e hënë në Podujevë, ku një person u vra, ndërkaq gruaja e tij mbeti e plagosur.
Sipas raportit 24 orësh bëhet e ditur se policia ka arritur të arrestojë një person të dyshuar, ndërsa i dyshuari tjetër është ende në arratisje.
Gjithashtu në raport thuhet se policia ka bastisur shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar ku kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe 62 fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, 20, dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja.
“Lidhur me rastin, pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore dhe ekipi i emergjencës kanë vazhduar në lokacionin e cekur me ç’rast në vendngjarje është konstatuar se viktima mashkull kosovar ishte pa shenja jete, ndërsa viktimës femër pasi i është dhënë ndihma mjekësore është dërguar për hospitalizim në QKUK.
Në lidhje me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e veprës së lartcekur bashkë me të dyshuarin i cili dyshohet se kishte kryer vrasjen dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja”, thuhet në raport.
Po ashtu sipas raportit bëhet e ditur se me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati.
“Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën procedurë hetimore”, thuhet ndër të tjera në raport të Policisë së Kosovës. /Shkruan Telegrafi/