Një ngjare e rëndë ka tronditur Prizrenin të dielën pasdite ku 48 vjeçari B.M u vra me armë zjarri.
Dyshohet se i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje lidhur me këtë rast.
Sipas raportit thuhet se i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje e cila kishte quar deri tek rasti tragjik.
“Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në raport.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.
“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, ka njoftuar policia.
Ndërkaq mbrëmë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi deklaroi se rasti ka ndodhur në lagjen Arbana në Prizren.
“Ngjarja ka ndodhur te shkolla që ndodhet në lagjen Arbana. Rreth orës 18:46 është raportuar që ka pasur të shtëna me armë zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me një ekip të emergjencës mjeksore. Rreth orës 19:00 është konstatuar vdekja e viktimës. Viktima është një mashkull (me inicialet B.M.) rreth moshës 48 vjeçare. Dyshohet se i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes”, kishte deklaruar Bytyqi. /Shkruan Telegrafi/