Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të ndaloj dhënien e lejeve ndërtimore për të gjithë ata persona të cilët kanë borxhe ndaj komunës.
Vendimi është nënshkruar të martën nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media.
“Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka nënshkruar vendimin për ndalimin e dhënies së lejeve ndërtimore dhe lejeve të përdorimit për personat juridik dhe fizik të cilët nuk i kanë përmbushur obligimet ndaj komunës”, thuhet në njoftim.
Në pikën 1.1 të këtij vendimi shkruan “ Të gjithë personat fizik dhe personat juridik që kanë obligime financiare ndaj Komunës së Prishtinës, u ndalohet dhënia e lejeve ndërtimore, duke përfshirë këtu procesin e pranimit teknik dhe procesin e legalizimit. Ky paragraf vlen për të gjithë personat fizik dhe personat juridik të cilët kanë obligime ndaj Komunës së Prishtinës dhe të cilët nuk janë në procedurë gjyqësore për kontestimin e borxhit”.
Për zbatimin e këtij vendimi obligohet Drejtoria e Urbanizimit, Drejtoria e Financave, Drejtoria e Inspektoratit dhe Zyra Ligjore. /Shkruan Telegrafi/