Shpërthen zjarri në një ndërtesë kolektive në Vietnam, humbin jetën dhjetëra persona – një djalë është hedhur nga tarraca

Dhjetëra persona humbën jetën nga zjarri që shpërtheu në një ndërtesë kolektive në Hanoi të Vietnamit, ku sipas dëshmitarëve dëgjuan thirrje për ndihmë dhe se një fëmijë është hedhur nga ndërtesa.

Zjarri shpërtheu mbrëmë pak para mesnatës në parkingun e ndërtesës 10-katëshe, transmeton Telegrafi.

“Autoritetet kanë arritur të shpëtojnë rreth 70 persona, kurse në spital janë dërguar 54, përfshirë dhjetëra të vdekur”, ka njoftuar agjencia vietnameze e lajmeve.

Pamjet e AFP-së tregojnë zjarrin dhe tymin në tarracat e mbyllura, kurse zjarrfikësit kanë arritur sot në mëngjes të lokalizojnë zjarrin, e ekipet e shpëtimit patën vështirësi të futen në ndërtesë.

Rreth 150 persona raportohet të kenë jetuar në këtë kompleks. Sipas një gruaje që u intervistua nga AFP, tha se ka dëgjuar thirrje të shumta për ndihmë, por që sipas saj nuk kanë patur kohë të mjaftueshme të reagojnë dhe t’i shpëtojnë.

“Shkova për të fjetur dhe ndjeja një aromë të pakëndshme. Kur dola jashtë pashë zjarrin. Kishte tym ngado. Një djalë i vogël është hedhur nga tarraca, nuk e di nëse ka mbijetuar”, tha një dëshmitare.

Zëvendëskryeministri Tran Luu Quang ka vizituar vendin ku ka shpërthyer zjarri, kurse Vietnami prej vitesh po ballafaqohet me zjarret vdekjeprurëse që shpesh shpërthejnë në objekte të ndryshme siç janë baret dhe karaoket. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë