Një studiues nga Shtetet e Bashkuara është shpëtuar nga thellësia e një shpelle në Turqinë jugore, ku ishte bllokuar pasi u sëmur më shumë se një javë më parë, tha federata turke e shpellave TUMAF.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Mark Dickey, 40 vjeç, u nxor i sigurt nga shpella pasi kaloi më shumë se një javë nën tokë me një sëmundje të rëndë, duke shkaktuar një përpjekje ndërkombëtare për ta shpëtuar atë nga një thellësi prej 1,040 metra brenda shpellës Morca në malet Taurus të Turqisë.
“Dickey u nxor nga dalja e fundit e shpellës”, shkroi në rrjetet sociale federata e shpellave TUMAF. “Kështu, pjesa e operacionit të shpëtimit në shpellë ka përfunduar me sukses. I urojmë të gjithë ata që kanë kontribuar”, tha federata.
Pas kësaj, Dickey u transportua me helikopter në spital, shtoi federata.
Ndryshe, më shumë se 150 shpëtimtarë nga Turqia, Kroacia, Italia dhe vende të tjera punuan për nëntë ditë për të shpëtuar studiuesin nga ajo që është shpella e tretë më e thellë e Turqisë.
Dickey, një shpellëtar me përvojë i cili ishte pjesë e një ekspedite kërkimore ndërkombëtare për të hartuar sistemin e shpellës Morca 1,276 metra të thellë, thuhet se u sëmur me gjakderdhje gastrointestinale dhe ishte shumë i dobët për të bërë vetë ngjitjen nga shpella. /Shkruan Telegrafi/