Sulmi terrorist në veri, deputetja britanike: Përkëdhelja e Vuçiqit po çon në dhunë, Mbretëria e Bashkuar ka më shumë përgjegjësi për të kontribuar në suksesin e Kosovës

Deputetja britanike, Alicia Kearns ka reaguar pas sulmit terrorist në veri të vendit ndaj Policisë së Kosovës, gjersa theksoi se trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Aleksandar Vuçiqit, gjithnjë e më autokratik po çon në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje, ndërsa drita në fund të tunelit të normalizimit dhe anëtarësimit në BE për të dy errësohet gjithnjë e më shumë.

Kearns në një postim të gjatë në X thekson se Mbretëria e Bashkuar ka më shumë përgjegjësi për të kontribuar në suksesin e Kosovës se shumica dhe për të siguruar që të mos ketë një kthim në brutalitetin e viteve ’90-ta.

Deputetja britanike e cila kohë më parë paralajmëroi për armatosjen në veri të Kosovës tha se duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan.

Lexoni të plotë shkrimin e saj:

Shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar, por mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit, kështu që llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj Serbi-Kosovë.

Trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Vuçiqit gjithnjë e më autokratik po na çon më thellë në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje, ndërsa drita në fund të tunelit të normalizimit dhe anëtarësimit në BE për të dy errësohet gjithnjë e më shumë.

Mbretëria e Bashkuar ka më shumë përgjegjësi për të kontribuar në suksesin e Kosovës, më shumë përgjegjësi se shumica dhe për të siguruar që ne të mos shohim një kthim në brutalitetin e viteve 1990.

Policia e Kosovës do të hetojë grupet paraushtarake përgjegjëse për vrasjen e oficerit Afrim Bunjaku.

Si financohen, armatosen dhe si kanë transportuar armë në/përreth Kosovës.

Nga kush i marrin udhëzimet e tyre?

KFOR-i dhe EULEX-i duhet të ndihmojnë hetimet dhe të ndajnë të gjitha inteligjencën mbi depot e armëve dhe lëvizjet me Qeverinë e Kosovës dhe vendet anëtare për të ndihmuar në përgjigjen e shqetësimeve rreth përfshirjes së akterëve të Beogradit në vrasjen e oficerit të policisë kosovare dhe bllokadat e orkestruara të rrugëve.

Mbretëria e Bashkuar, si anëtare e QUINT-it duhet të marrë një rol më aktiv në dialogun e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – pasiviteti aktual është i paqëndrueshëm.

Britania e Madhe nuk është më e kufizuar nga konsensusi dhe mosnjohësit e BE-së, kështu që duhet të jetë më ‘muskulare’ dhe dinamike në përpjekjet diplomatike.

Ne kemi nevojë për një ‘shtyllë’ në Ballkan.

Ne gjithashtu duhet të rrisim masat e parandalimit dhe të sigurojmë një rritje nga 4,500 trupat e KFOR-it që vijnë nga një grup më i gjerë shtetesh anëtare që kontribuojnë në këtë forcë paqeruajtëse.

Qeveria e Serbisë më në fund duhet të angazhohet në mënyrë kuptimplotë në përpjekjet për normalizim dhe t’i japë fund përdorimit të retorikës radikalizuese dhe armatimit, e të ndarjeve etnike që nxisin urrejtje.

BE-ja dhe SHBA-ja nuk duhet të mbyllin më sytë ndaj intransigjentes nga Serbia.

Qeveria e Kosovës duhet të potencojë përkushtimin e saj për të mbështetur komunitetet serbo-kosovare, duke siguruar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në demokraci…

BE-ja duhet të angazhojë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës për të mbështetur trajektoren e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s, duke forcuar paprekshmërinë e integritetit të saj territorial.

Mbretëria e Bashkuar duhet të udhëheqë përpjekjet për një aleancë të sigurisë ndërmjet SHBA-së, Britanisë së Madhe, vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Kosovës, derisa Kosova të arrijë anëtarësimin e plotë në NATO.

Një marrëveshje e tillë do të adresonte shqetësimet e menjëhershme të sigurisë dhe do të hapte rrugën për stabilitet afatgjatë në rajon.

Dështimi nuk është një opsion.

Parandalimi në Ballkan duhet të jetë një prioritet për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën.

Duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan. /Shkruan Telegrafi/

© Portali Alarm. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rozë