Bislimi, Hajdari, Nagavci..: Ministrat që s’i do më Kurti në kabinet qeveritar
Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, koalicioni Vetëvendosje–Guxo–Alternativa mbeti larg shumicës së thjeshtë prej 61 deputetësh, të nevojshme për të formuar Qeverinë “Kurti 3”. Në prezantimin e emrave të kabinetit qeveritar, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, solli jo pak risi. Emra të njohur, me pozita të rëndësishme në qeverinë Kurti 2 si Besnik Bislimi, u lanë jashtë kabinetit të ardhshëm, shkruan Nacionale.
Bislimi, ndonëse zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti 2, kësaj radhe u përjashtua nga lista e kabinetit qeverisës, ndërsa në vend të tij u propozua numri dy i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili njëkohësisht u caktua për pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme.
Rozeta Hajdari, ish-ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, po ashtu nuk u përfshi në përbërje, pasi kjo ministri u integrua në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, pozitë për të cilën u nominua Mimoza Kusari-Lila.
Arbërie Nagavci, ish-ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjithashtu nuk u rikthye në kabinet; në vend të saj u propozua Avni Zogiani.
Lëvizje e çuditshme nga Kurti u bë edhe më përfshirjen në kabinet qeverisës të emrit të Dimal Bashës në pozitën e Ministrit të Infrastrukturës — vetëm pak javë më parë i zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Një ministri e re e prezantuar nga Kurti ishte ajo për Familje dhe Mirëqenie Sociale, e cila iu besua Andin Hotit.
Pozitë e re u propozua edhe për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, ku kandidat është aktori i njohur Fatmir Spahiu.
Për Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kurti e propozoi Fitore Pacollin, e cila më parë nuk kishte mbajtur post ministror në Qeverinë Kurti 2.
Ndërkohë, Donika Gërvalla, deri tani ministre e Punëve të Jashtme, u propozua për të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, në vend të Albulena Haxhiut./Nacionale/PortaliAlarm/
Emrat e prezantuar nga Kurti:
- Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme: Glauk Konjufca
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë: Donika Gërvalla
- Zëvendëskryeministër dhe minstër për Çështje të pPkicave: Fikrim Damka
- Ministër i Financave dhe Ekonomisë: Hekuran Murati
- Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale: Andin Hoti
- Ministër i Mbrojtjes: Ejup Maqedonci
- Ministër i Brendshëm: Xhelal Sveçla
- Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit: Lulzim Jagxhiu
- Ministër i Shëndetësisë: Arben Vitia
- Ministër i Arsimit dhe Shkencës: Avni Zogiani
- Ministër i Kulturës dhe Turizmit: Fatmir Spahiu
- Ministër i Sportit dhe Rinisë: Blerim Gashani
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal: Rasim Demiri
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor: Fitore Pacolli
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural: Armend Muja
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit: Dimal Basha
- Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane: Mimoza Kusari
- Ministre e Energjisë dhe Minierave: Artane Rizvanolli
- Ministër për Komunitete dhe Kthim: Nenad Rashiq
- Ministër për Zhvillim Rajonal: Sejnur Vejvoda
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































