Elisa Spiropali: Integrimi i Kosovës, prioritet strategjik i BE-së
Elisa Spiropali, ministre e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, u takua me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesen e lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, me të cilën ka biseduar, mes tjerash, edhe për sigurinë në rajon.
Spiropali, në një postim në ‘Facebook’, ka bërë të ditur qëllimin e këtij takimi me Kaja Kallasin, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën, është një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët nën qiellin evropian, raporton RTKlive.
“Me shumë kënaqësi u takova sot me Zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, për angazhimin e mëtejshëm të Shqipërisë si faktor i sigurisë rajonale, partner i besueshëm e proaktiv i BE-së, tërësisht i linjëzuar me politikat e Unionit, përfshirë në mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar për Ukrainën”, ka shkruar Spiropali./RTKlive/PortaliAlarm/

Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































