Grua ballkanase gjobitet me 50 euro për tharje rrobash në ballkon – rrjeti shpërthen me reagime
Një rast i pazakontë ka ngjallur debat në Gjermani dhe në rrjetet sociale: një grua me origjinë nga Ballkani është gjobitur me 50 euro pasi kishte tharë rrobat në ballkonin e saj.
Ngjarja u bë publike nga vetë gruaja, e cila e ndau përvojën në grupin e njohur në Facebook “Balkanci in Germany”.
Sipas rrëfimit të saj, gjithçka nisi pas një dite me diell, kur ajo vendosi të lante dhe të nxirrte rrobat për t’u tharë në ballkon. Por fqinja e saj nga kati i sipërm reagoi menjëherë, duke i bërtitur se “rrobat duken keq kur shihen nga poshtë”.
“Mendova se po bënte shaka. Tre ditë më vonë, më erdhi letra me gjobë dhe paralajmërim zyrtar për ‘mosrespektim të rregullave të banesës’. Nuk po e di më çfarë të bëj në këtë vend. Po ku t’i thaj rrobat, në frigorifer?”, shkroi gruaja me ironi.
Rregullat e banesave në Gjermani
Në disa ndërtesa të banimit në Gjermani ekzistojnë rregulla të brendshme që ndalojnë tharjen e rrobave në ballkon nëse ato shihen nga jashtë. Justifikimi kryesor i këtyre rregulloreve lidhet me pamjen estetike të ndërtesës dhe ankesat e banorëve për “pamje të pakëndshme”.
Në këtë rast, menaxhmenti i ndërtesës iu referua pikërisht kësaj rregulle, duke theksuar se tharja e rrobave në ballkon “cenon standardet e vendosura për banesën”.
Reagimet në rrjete sociale
Rasti është bërë viral në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar dhjetëra komente ironike e kritike. Shumë përdorues shprehën habi se si një veprim i zakonshëm si tharja e rrobave mund të përfundojë me gjobë.
“Po nëse dikush vendos një tenxhere me lule që s’i pëlqen fqinjës, do të gjobitet prapë?”, pyeti me humor një komentues.
Të tjerë e lidhën këtë situatë me rigiditetin e rregullave gjermane, duke e parë si shembull të ekzagjeruar të burokracisë së përditshme.
Ndërkohë, kishte edhe nga ata që e mbrojtën rregullin, duke thënë se çdo banor nënshkruan kontratën e banesës dhe duhet të respektojë kushtet e saj, pavarësisht se duken të pazakonta.
Debat i hapur për integrimin
Ngjarja ka hapur sërish debatin mbi përshtatjen e emigrantëve ballkanas me rregullat e jetës në Gjermani. Shumë e panë gjobën si shenjë të mungesës së fleksibilitetit nga ana e autoriteteve, ndërsa të tjerë theksuan se respektimi i rregullave është pjesë e integrimit në shoqërinë gjermane. /GazetaExpress/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































