Holanda i thotë ‘lamtumirë politikës së urrejtjes’
Partia e majtë D66 ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të Holandës, duke shënuar një ngritje të madhe në krahasim me vitin 2023. Ndërkohë, partia e ekstremit të djathtë Partia e Lirisë (PVV) e Geert Wilders pësoi rënie të ndjeshme në vota.
Sipas rezultateve paraprake, me rreth 90 për qind të votave të numëruara, D66 dhe PVV kanë siguruar nga 26 vende secila në parlamentin me 150 ulëse. Megjithatë, D66 pritet të udhëheqë bisedimet për formimin e qeverisë së re, pasi partitë e tjera tradicionale kanë përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Wilders, njofton Klankosova.tv.
Lideri i D66, Rob Jetten, 38 vjeç, pritet të bëhet kryeministri më i ri dhe i pari hapur homoseksual në historinë e Holandës. Ai u prit me entuziazëm në selinë e partisë, ku mbështetësit brohoritën “Yes, we can” (Po, mundemi).
Geert Wilders, i njohur për qëndrimet e tij kundër islamit dhe emigrantëve, pranoi humbjen duke thënë se do të vazhdojë “të luftojë nga opozita”. Ai kishte udhëhequr një qeveri konservatore pas fitores historike të vitit 2023, por ajo u rrëzua në qershor për shkak të mosmarrëveshjeve mbi politikat e ashpra të emigracionit.
Wilders kishte propozuar ndalimin e kërkesave për azil dhe kthimin e refugjatëve ukrainas, që do të binin ndesh me traktatet e Bashkimit Evropian./Klankosova.tv/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































