Kryeministri i Katarit lë të kuptohet se Hamasi e shkeli armëpushimin të martën
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, la të kuptohej të mërkurën se Hamasi e shkeli armëpushimin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në Gaza të martën, kur sulmoi trupa izraelite dhe vrau një ushtar rezervist.
Incidenti vdekjeprurës në zonën e qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës ishte “shumë zhgënjyes dhe frustrues” për Katarin, tha al-Thani, i cili foli në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme në Nju-Jork, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Të martën pasdite, një celulë e operativëve palestinezë i vuri në shënjestër trupat izraelite me zjarr snajperësh në lagjen Jenin të qytetit Rafah, duke e vrarë rezervistin Yona Efraim Feldbaum, para se të hedhnin edhe disa granata dore në drejtim të ushtarëve izraelitë.
Ushtria izraelite u kundërpërgjigj duke goditur disa caqe në zonë që paraqisnin rrezik për trupat, përfshirë ndërtesa e tunele. Forcat ajrore izraelite më pas kryen një valë sulmesh në Rripin e Gazës nga e marta në mbrëmje deri të mërkurën në mëngjes. Autoritetet e Hamasit raportuan për të paktën 104 të vdekur, përfshirë dhjetëra gra e fëmijë. Izraeli më pas njoftoi se do t’i rikthehej armëpushimit.
“Ajo që ndodhi dje ishte shkelje” – tha al-Thani, duke pranuar se ndërmjetësit kishin pritur që Izraeli të kundërpërgjigjej pas vrasjes së njërit prej ushtarëve.
Kur u pyet se kush saktësisht ishte përgjegjës për “shkeljen” e së martës, kryeministri i Katarit tha: “Ajo që ndodhi dje – sulmi ndaj ushtarëve izraelitë – kjo është në thelb një shkelje nga pala palestineze”.
“Hamasi ka lëshuar një deklaratë se ata nuk janë në komunikim me këtë grup [që e kreu sulmin]. Nuk e dimë ende [nëse kjo është e vërtetë]” – shtoi ai./Nacionale/PortaliAlarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































