February 10, 2026
# Tags
#Kosovë #Lajme

“Kurti 3” nuk kalon: vetëm 56 vota pro, larg shumicës së nevojshme

Me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime, koalicioni Vetëvendosje–Guxo–Alternativa mbeti larg shumicës së thjeshtë prej 61 deputetësh, të nevojshme për të formuar Qeverinë “Kurti 3”, raporton Nacionale.

PDK, LDK dhe AAK akuzuan deputetin Albin Kurti si fajtor të krizës disa-mujore institucionale.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se situata ka vërtetuar se nuk do të ketë më qeveri Kurti 3.

“Sot përfundimisht u vërtetua ajo çka kemi thënë – Albin Kurti po e mban vendin peng sepse nuk i ka votat. 56 vota për Kurtin dhe asnjë më shumë. Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit i ka kushtuar edhe me izolim edhe me përçarje. E kam thënë dhe po e përsëris prap, Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Koha e qeverisjes se tij ka marrë fund” – deklaroi Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga ana tjetër pak para seancës deklaroi se vendi nuk ka shumicë parlamentare dhe se, sipas të gjitha gjasave, Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk ka shumicë në Republikën e Kosovës – iu kam thënë nga dita e parë. Sipas të gjitha gjasave, po në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj gjithashtu paralajmëroi se, nëse kjo përpjekje për formimin e institucioneve dështon, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, për shkak të mungesës së një oferte nga opozita.

“Nëse sot dështohet, atëherë zgjidhja e vetme mund të jenë zgjedhjet, për shkak se nuk ka një ofertë nga opozita,” theksoi kreu i AAK-së./Nacionale/PortaliAlarm/