‘Sagrada Família’ e Barcelonës bëhet kisha më e lartë në botë
Kisha Sagrada Família ka arritur të bëhet kisha më e lartë në botë, pasi punëtorët vendosën pjesën e parë të kryqit në majë të kullës qendrore.
Tashmë me një lartësi prej 162.91 metrash, bazilika spanjolle ka thyer zyrtarisht rekordin që mbahej nga Ulm Minster në Gjermani, që ka mbajtur këtë titull që nga viti 1890.
E dizajnuar nga arkitekti i njohur Antoni Gaudí, vendi i adhurimit ka qenë në ndërtim e sipër në qendër të Barcelonës për më shumë se një shekull, ndërsa ndërtesa kryesore pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.
Kulla qendrore e Jezu Krishtit do të rritet me vendosjen e pjesës tjetër të kryqit gjatë muajve të ardhshëm, duke arritur në fund në një lartësi prej 172 metrash, shkruan BBC.
Guri i parë i Sagrada Família u vendos në vitin 1882, ndërsa arkitekti Gaudí mori përsipër projektin vitin pasues. Ai transformoi dizajnet origjinale të bazilikës në një projekt shumë më ambicioz, që u financua fillimisht nga donacionet e besimtarëve.
Kur ai kishte vdekur papritur në vitin 1926, ishte ndërtuar vetëm një nga 18 kullat e planifikuara.
Në vitet që pasuan, ndërtimi i kësaj mrekullie arkitekturore u menaxhua nga fondacioni “Sagrada Família” dhe u financua nga kontributet e turistëve, vizitorëve dhe donatorëve privatë.
Përveç humbjes së arkitektit kryesor, bazilika ka hasur një sërë pengesash gjatë afro 150 viteve të ndërtimit të saj. Gjatë Luftës Civile Spanjolle, anarkistët katalanas dogjën kriptën, duke shkatërruar planet dhe modelet prej gipsi të krijuara nga Gaudí, të cilat do të shërbenin si udhërrëfyes për ndërtimin e mëvonshëm.
Më së fundi, pandemia e Covid-19 shkaktoi ndalimin e punimeve, pasi fondacioni ia atribuoi pauzën mungesës së turizmit dhe rënies së fondeve për projektin, shkruan BBC, transmeton Portali Alarm.
Në shtator të këtij viti, Drejtori i Përgjithshëm i Sagrada Família, Xavier Martínez, i tha Agjencisë Associated Press se Kulla e Jezu Krishtit do të përfundojë në vitin 2026, për të përkuar me njëqindvjetorin e vdekjes së Gaudít.
Fondacioni do të organizojë një seri ngjarjesh për të nderuar arkitektin, i cili është varrosur në kriptën e kishës.
Punimet mbi detajet dekorative, skulpturat dhe shkallët që çojnë në hyrjen kryesore të ndërtesës pritet të vazhdojnë gjatë dekadës së ardhshme./Portali Alarm/
Albanian 

























































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































































