# Tags
#Kosovë #Lajme

AGK: Gjuha fyese e Donika Gërvallës ndaj gazetarit Kërquku është sulmuese dhe e papranueshme

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndaj gazetarit Leonard Kërquku

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, AGK e ka cilësuar gjuhën e përdorur nga Gërvalla si “të papranueshme” dhe “sulmuese”.

Sipas AGK-së, reagimi i ministres pas debatit të mbrëmshëm në emisionin Pressing, të udhëhequr nga Kërquku, përbën një shembull të keq të sjelljes publike nga një zyrtare e lartë shtetërore.

Postimi i plotë:

Gjuhë e papranueshme sulmuese e Donika Gërvallës ndaj T7 dhe Leonard Kërqukut

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e vlerëson si të papranueshëm dhe të padinjitetshëm për postin që mban, sulmin me gjuhë të ulët të zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, ndaj Televizionit 7 dhe gazetarit Leonard Kërquki, autor i emisionit Pressing.

AGK-ja dënon ashpër një fjalor të tillë nga një zyrtare e lartë e shtetit, që synon të minojë punën e televizionit dhe gazetarit, në një medium ku ajo vetë ka dhënë intervistë.

AGK-ja i fton zyrtarët e Qeverisë në detyrë dhe përfaqësuesit e partisë shumicë të mandatit të kaluar që të tregohen të përmbajtur në reagimet e tyre publike, duke mos vazhduar me sulme frontale ndaj mediave.

AGK-ja dënon çdo formë dhune dhe mungesë tolerance që manifestohet në transmetimet e drejtpërdrejta të debateve politike.

/PortaliAlarm/